Qeveria Hoti është votuar sot në Kuvendin e Kosovës me 61 vota për, 24 kundër dhe 1 abstenim.

Në kabinetin qeveritar i cili do të përbëhet nga kryeministri Avdullah Hoti, katër zëvendëskryeministra dhe 16 ministra, është edhe Goran Rakiq aktualisht kryetar i Mitrovicës së veriut.E me zgjedhjen e Rakiq zëvendëskryeministër dhe Ministër i Pushtetit Lokal, komuna e Mitrovicës së veriut pritet të shkojë në zgjedhje.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Telegrafin se KQZ-ja do të fillojë me punën intensive për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, pasi të shpallen këto zgjedhje.

“Si çdo herë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore, për të organizuar zgjedhjet, kurdo që i kërkohet. Në këtë drejtim, KQZ-ja do të fillojë me punën intensive për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, pasi të shpallen këto zgjedhje. Kështu do të veprojmë edhe pas vazhdimit të procesit zgjedhor në komunën e Podujevës. Kjo është përgjigje sa i takon rolit kushtetues të KQZ-së, ndërkaq lidhur me situatën specifike në të cilën ndodhemi për shkak të pandemisë, ne nuk mund të japim një përgjigje për aspektet që kanë të bëjnë me shëndetin e qytetarëve pasi janë institucionet tjera përkatëse dhe profesionale që e kanë fushë të përgjegjësisë së tyre”, ka thënë Elezi.

Ligji për Vetëqeverisje Lokale në nenin 56 pika 3, sqaron se kur përfundon mandati i kryetarit të komunës: a) kur ta kryejë mandatin e tij; b) nëse vdes; c) nëse jep dorëheqje; d) nëse ndërron vendbanimin në komunë tjetër; e) nëse nuk paraqitet në punë për më shumë se 1 muaj pa arsye; f) nëse shkarkohet nga detyra në pajtim me këtë ligj; g) në rast të vendimit përfundimtar të gjyqit që e privon kryetarin e komunës nga cilësia juridike; dhe h) në rast të dënimit për vepër penale me një urdhër për burgim për gjashtë (6) muaj ose më tepër.

Ndërsa, neni 59 pika 1, flet për konfliktin e interesit: 59.1 Menjëherë pas zgjedhjes së tyre, kryetarët e komunave ndërpresin çdo kontratë apo lidhje që kanë, e cila mund ta vë në pikëpyetje aftësinë e tyre për kryerjen e përgjegjësive të tyre në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. /Telegrafi/