Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ditën e parë të rikthimit në zyrë këtë fillim viti ia kushtoi lehtësimit të marrjes së shërbimeve nga qytetarët, quajtur prej tij si revolucioni digjital përmes platformës e-albania.al.

Vetë i pari qeverisë ka testuar këtë sistem duke bërë një aplikim online.

Ai së bashku me Linda Karcanajn, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, kanë parë menunë e shërbimeve që merren online.

“Janë 472 aplikime për shërbime që deri dje krijonin radhë nëpër sportele thjesht për një aplikim, i cili tanimë mund të bëhet online, përmes smartfonit apo kompjuterit’, shkruan Rama në Facebook.

Postimi i plotë:

GATI NISJA E REVOLUCIONIT DIGJITAL NË SHËRBIMET PËR QYTETARËT.

Janë 472 aplikime për shërbime që deri dje krijonin radhë nëpër sportele thjesht për një aplikim, i cili tanimë mund të bëhet online, përmes smartfonit apo kompjuterit

Qytetarëve nuk do t’u kërkohen më dokumente shtetëtorë kur aplikojnë, po vetëm dokumenta që janë individualë

Të gjithë dokumentet shtetërorë të nevojshëm për dosjen e aplikimit online, do të sigurohen për llogari të qytetarit, nga vetë punonjësi i sportelit përkatës

Qytetarët do të mund ta ndjekin online ecurinë e aplikimit të tyre dhe do të paraqiten në sportel vetëm nëse prezenca e tyre është e detyrueshme nga përcaktimet ligjore për të marrë shërbimin

Ky proces transformues rrënjësor do të zhdukë brenda 2020-ës, radhët për të kërkuar një shërbim; shkurtojë kohën e humbur për të marrë një shërbim; eliminojë masivisht rryshfetin

Në qershor do të hyjë online blloku i dytë prej 395 shërbimesh dhe deri në fund të vitit 2020 do të jenë 91% të të gjitha aplikimeve për shërbime (me pak përjashtime të paevitueshme dot për shkak të nevojës së paraqitjes së personit për një aplikim) do të bëhen vetëm online në https://e-albania.al