Siç paralajmëroi Top Channel pak ditë më parë, Edi Rama prezantoi një qeveri të vogël, me 14 portofole gjithsej, përfshirë edhe atë te kryeministrit, nga 21 të mandatit të parë.

Ndryshimet në strukturë janë radikale. Vetëm 5 prej tyre, ato klasiket nuk preken në strukturë- Ministria e Mbrojtjes, e Brendshme, e Jashtme, e Drejtësisë dhe e Kultures. 3 ministri janë shkrirë plotësisht- Integrimi, Inovacioni, Zhvillimi Urban. Të tjerat janë bashkuar me Ministrinë e Financave, Energjisë, Mjedisit, Shëndetësisë apo të Arsimit.

Edhe përbërja e kabinetit ishte surprizuese. Duke nisur me emrin e zëvendëskryeministres. Senida Mesi, deputete e shkodres, me profesion ekonomiste me karriere në sektorin bankar, do të jete përgjegjëse për reformat strukture të qeverisë dhe eliminimin e burokracive shtetërore. Dy ministra shteti, Sonila Qato, ish-drejtoresha e Agjencisë se Pronave do të jetë ministre për Sipërmarrjen, të cilës Edi Rama planifikon t’i japë të gjithë mbështetjen dhe mbrojtjen për rritjen e Ekonomisë.

Me Pandeli Majkon si ministër Shteti për Diasporën, Edi Rama riktheu në qeveri jo vetëm ish-kryeministrin dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, por edhe një nga figurat klasike të socialistëve. Duke e përforcuar këtë linjë edhe me përfshirjen e Blendi Klosit, vlerësimi për të cilin dhe një shkelje syri, ka kapur në befasi të gjithë ata që besonin se Klosi e kishte mbyllur karrierën në qeveri.

Në kabinetin “Rama 2” do të jenë të tre ministrat që, për shkak të marrëveshjes së 18 majit, e lanë postin e tyre qeveritar. Fatmir Xhafaj dhe Olgerta Manastirliu kthehen në detyrat e tyre, përkatësisht të ministrisë së Brendshme dhe të Shëndetësisë, ndërsa Olta Xhaçka do të ulet në karrigen shumë të rëndësishme të ministres së Mbrojtjes duke zëvendësuar Mimi Kodhelin, e cila do të ketë një detyrë kyçe, siç tha Rama, në grupin parlamentar.

Në kabinet bie në sy një prurje e re. Etilda Gjoni, nga ish-zëvendësministre e Drejtësisë, do të ngjitet në nivelin më të lartë të dikasterit dhe do të kryeje detyrën e ministres së Drejtësisë. Por edhe vazhdimësia, si vlerësim për kontributin 4 vjeçar është një mesazh tjetër i dhënë nga kryeministri me qeverinë e re.

Nga zëvendëskryeministër, Niko Peleshi, do të marre postin e ministrit të Bujqësisë, ndërsa 5 ministra të tjerë do të mbajnë detyrat e mëparshme. Për Ditmir Bushatin tek ministria e Jashtme, Edi Rama ka parë gotën gjysmë plot, kur e ricaktoi në të njëjtën detyrë.

Edhe për dy ministra të tjerë ka nga një “Por…”. Për Damian Gjiknurin, ministër i Energjetikës dhe infrastrukturës, kryeministri vërtet tha se është administratori më i mirë i vendit.

Një super ministri, si ajo e Gjiknurit, do të ketë edhe Arben Ahmetaj, tek financat, ekonomia dhe puna.

Gratë në qeveri do të jene në numër të barabartë me burrat. Mirela Kumbaro do të vazhdojë tek Kultura, ndërsa Lindita Nikolla tek Arsimi, Sporti dhe Rinia.

Por, ndryshimi më i madh që Edi Rama prezantoi nuk kishte të bënte as me strukturën, as me emrat e qeverisë. Por me kushtin me të cilin ministrat do të qëndrojnë në qeveri.