Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me mësues të kryeqytetit, deklaroi sot se do te përmbyllim me sukses një reformë tërësore në arsim që finalizohet me dijet e mësuesve.

“Po flasim për një hap tjetër përpara, një hap për të nisur procesin e një reforme. Është e rëndësishme çfarë kemi bërë për infrastrukturën, përmirësimin e teksteve, përmirësimin e aksesit të nxënësve në mësim, por nuk do të mjaftonte po mos të bënim atë që është më kryesorja, dija dhe aftësia e mësuesve për të qenë në krye të detyrës”, tha Rama.

Rama solli në vëmendje përpjekjet për pastrimin e teksteve shkollore, kur tha se për të pastruar atë mori tekstesh shkollore, ne organizuam një pyetësor dhe kërkuam vlerësim nga mësuesit në rang republike për tekstet.

“Dhe 600 tekste që u hoqën në fillim ishin vendim i marrë bazuar mbi studimin dhe vlerësimin e bërë nga mësuesit. Tekstet shkonin duke u shumuar jo bazuar se çfarë ishte kërkesa e brendshme e sistemit dhe çfarë ishin nevojat e mësuesve. As bazuar në konsultim me mësuesit, por thjesht bazuar në një logjikë përverse të një tregu të brendshëm të krijuar për të prodhuar sa më shumë libra, e për të shitur sa më shumë libra, me kopje të përkthyera shumë keq, të marra lartë e poshtë pa marrë parasysh metodiken e brendshme të një sistemi”, u shpreh Rama.