Shkruan Blerina Demiri

Dëshira për të jetuar në demokraci sot është një petk që çdo qytetar global dëshiron t’ia mveshë sistemit politik të cilit duhet ti bindet dhe kjo jo pa shkak. Shoqëritë demokratike konsistojnë në shoqëri të cilat arrijnë të realizojnë vetveten nëpërmjet gjuhës së pushtetit si element kyç i të ashtuquajturës demokraci.

Element tjetër jo pak i rëndësishëm është edhe vet konceptualizimi i pushtetit të cilin politikbërësit duhet ta ruajnë me fanatizëm. Kjo arrihet vetëm duke e konsideruar pushtetin si “tokë e askujt”, pra të mos qenit bashkësubstancial i tij. Në momentin që koncepti mbi të shtrembërohet demokracia nuk mund të ekzistojë si e tillë.
Detyra permanente e shoqërive demokratike është krijimi dhe ekzistimi i një opinion real që do vlerësonte “produktet” e politikës, gjegjësisht politikbërësve.

Politikbërësit më saktë politikanët janë ata që synonjë pushtetin për arsye të ndryshme “individuale” qoftë ato edhe “kolektive”, gjë për të cilën domosdoshmërisht duhet ti nënshtrohen një procesi demokratik dhe të kahershëm siç janë zgjedhjet.
Këto të fundit i japin të drejtë qytetarit dhe të ngjashmit të tij të krijojë ose të mohojë një qeveri apo politikë të caktuar njashtu siç i japin të drejtë personave racional, jo racional, politikisht të denjë apo të padenjë të konkurrojnë drejt të qenit “lider”.
E në fakt kur flasim për “liderët” mund lirisht të themi se janë ata që hedhin themelin dhe përurojnë çatinë e realitetit politik.
Por cilët janë këta liderë? Ata që i mbanë gjallë lavdia apo frika, ata që i udhëheq morali apo dëshira e pamposhtur për pushtet, ata që i personifikon fjala e mbajtur apo fjala e dhënë?

Në momentin kur arrijmë të kuptojmë cili është njëri dhe cili është tjetri, e vërteta është më e lehtë për tu pranuar apo evituar, ajo që krijon katrahurën e vërtetë politike është një maskim i tejskajshëm i së keqes dhe zbukurimi i saj deri në detaje aq sa merret si e mirë e përgjithshme.
Ajo që bën bashkë qytetarin me pushtetin është komunikimi politik i cili përpunohet me mjeshtëri të plotë për të prekur jo vetëm veshin e popullit por mendjen dhe zemrën e tij.
Ky lloj komunikimi është përbërësi kryesor i figurës së liderit i cili mund të jetë imponues ose bindës. Rrjedhimisht ndër vite si popull gjithmonë kemi ushqyer besimin tek një figurë e rëndë politike, nga ata me thinja e me mjekër, nga ata që bërtasin e vrasin për atdhe, nga ata që të rrahin shpinën e të pijnë gjakun, me ose pa vetëdije.

Kjo ju ka dhënë hapësirë shumicës prej tyre të jenë imponues në atë që thonë duke qenë të bindur për kredibilitetin e plotë nga ana e popullit. Janë ata liderë për të cilët Makiaveli do hiqte kapelën duke arsyetuar mjetet me të cilat është arritur qëllimi.
Fundja përse të mos jenë imponues kur e gjithë kjo rezulton në bindje të plotë?
Nga ana tjetër të jesh lider i fjalës së mirë dhe premtimit të mbajtur nuk jep përshtypjen e një politikani të vërtetë siç e do populli, prandaj detyrimisht tërhiqesh apo bëhesh pjesë e brumit politik.

Një fenomen i tillë nuk ka vyshkur vetëm demokracinë në Maqedoni por edhe më gjërë i cili nuk gjë tjetër veç shndërrim i komunikimit politik në paradigmë sofistike.
Paradigma sofistike nuk është një term i ri në politikë, madje do thoja që është mjeti më i përdorur për të fituar betejën drejt pushtetit nëpërmjet elokuencës dhe karizmës poetike. Kjo bën që gënjeshtra të jetë aq e vërtetë sa të merret si e besueshme.

Spektri ynë partiak ka humbur sensin e një komunikimi politik racional dhe konstruktiv ku fjalët, intelektualizmat dhe premtimet do ishin element konkret i një dialogu mes politikanit dhe qytetarit dhe jo vetëm skemë mediatike e cila lë në terr realitetin politik.
Në mungesë të një analize të mirëfilltë nga ana e vet qytetarit i cili shihet si votë e mundshme në elektoratin zgjedhor, e bën atë ti nënshtrohet apo më saktë pajtohet me atë që përcillet nga komunikimi më shumë fiktiv mediatik se real politik.

Kjo lloj paradigme sofistike fshin nga piktura e aktualitetit çdo mendim ndryshe, çdo ideal të kundërt me atë të “liderit”, çdo dëshirë për të dialoguar duke krijuar një tërësi realitetesh subjektive detyrimisht të njëjta.
Për aq kohë sa politika do jetë tele-politikë demokracia nuk mund të lulëzojë sepse thelbi i saj nuk është pushteti e as monologu por qytetari demokrat dhe liria e dialogimit me pushtetin.

Autorja është e diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar në Universitetin e Evropës Juglindore