Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, mbrëmë në Shkup është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me ç’rast janë shprehur angazhimet për intensifikim të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe për sigurimin e kushteve për integrime euroatlantike në mbarë rajonin, përcjell Fol.

Siç kumtoi shërbimi qeveritar i Maqedonisë, Rama, i cili në Shkup merr pjesë në ”Samiti 100”, gjatë takimit, kryeministrin Zaev e uroi për zbatim të zgjedhjeve lokale dhe demokratike.

”Rezultatet nga zgjedhjet janë erë në kurriz për agjendën demokratike, si dhe mbështetjen e politikave reformuese që hapin perspektiva. Ato janë fitore e konceptit të një shoqërie për të gjithë, që bashkoi qytetarët. Do të bëjmë gjithçka që duhet që ta arsyetojmë besimin dhe të sigurojmë jetë cilësore për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, ka thënë kryeministri Zaev.

Rama dhe Zaev kanë vlerësuar se Maqedonia dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të mira politike, pa çështje të hapura dhe se kjo është bazë e mirë për shpeshtimin e bashkëpunimit në drejtim të zbatimit të standardeve evropiane, bashkëpunimit ekonomik, si dhe sigurimit të kushteve për integrime euroatlantike për të gjithë rajonin.

Gjatë takimit janë biseduar mundësitë për avancimin e bashkëpunimit ekonomik tregtar mes Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe është vlerësuar se pjesëmarrja e përbashkët në samit në Shkup, është dëshmi për vullnetin politik për zhvillim të bashkëpunimit rajonal ekonomik.

Poashtu është shprehur edhe pritje se BE-ja do t’i njohë dhe mbështesë angazhimet e shteteve nga rajoni për thellim të bashkëpunimit të nevojshëm rajonal dhe për integrim në BE, por edhe nevojat e vetë qytetarëve të rajonit. /Fol/