Numri i lindjeve në Shqipëri është regjistruar në rënie edhe për tremujorin e katërt të vitit 2017. Sipas Institutit të Statistikave, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 7 931 lindje, duke shënuar një rënie me 2.35% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016.

Ndërkohë, rënie ka shënuar edhe numri i vdekjeve me 6.9% krahasuar me T4 2016 dhe rezulton 5 408.

Ndërkohë, referuar të dhënave të INSTAT, shtesa natyrore e popullsisë në tremujorin e katërt të vitit të kaluar është 2 523. Ky tregues demografik ka shënuar një rënie me 8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016.

Gjatë kësaj periudhe, shtesa më e lartë e popullsisë për 12 qarqet e vendit është shënuar në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve është më i lartë, 1 191 më shumë se sa vdekje. Ndërkohë, dy qarqe të tjera të cilat kanë rezultuar me shtesë të lartë natyrore janë ai i Durrësit dhe ai i Dibrës, respektivisht 375 dhe 257 lindje më shumë se sa vdekje.

Ndërsa, vlerat më negative sa i takon këtij treguesi janë regjistruar në qarkun e Gjirokastrës dhe Korçës. Në qarkun e Gjirokastrës, sipas të dhënave numri i vdekjeve tejkalon me 41 numrin e lindjeve, të cilat shënuan një rënie me 6% krahasuar me T4 2016, duke regjistruar 158 lindje.