Gjoko Popovski, ish ndihmësi i ministrit të Brendshëm, i akuzuar për manipulim me tenderë për furnizim me 300 makina policie, sot për të tretën herë me radhë kërkoi anulim të gjykimit pasi u ankua se nuk mund të lëvizë dhe ka probleme depresioni. Në gjykatë, Gjoko Popovski u paraqit me bastun në dorë dhe lëvizte me hapa tejet të ngadalshëm, ndërsa gjykatës i dorëzoi raportin mjekësor nga neurologu me të cilin dëshironte të dëshmojë se nuk është i aftë që të ndjek procesin gjyqësor i kthjellët.

Ndaj kësaj reaguan prokurorët e Speciales të cilët kërkuan ekspertë të pavarur neuropsikiatrik, për të vlerësuar nëse Gjoko Popovski, shkaku i depresionit dhe shtangieve të disa pjesëve të trupit, nuk mund të ndjekë gjykimin me vetëdije të plotë. Fatime Fetai nuk e arsyetoi para kamerave kërkesën e saj për ekspert të pavarur, por në gjykatë kërkoi që të thirret edhe mjeku i Gjoko Popovskit por edhe një tjetër që nuk ka lidhje me procesin.

FATIME FETAI, PROKURORE

“Kundërshtojmë këtë kërkesë pasi deri tani, seancat gjyqësore anuloheshin shkaku i mungesës së të akuzuarit. Ai sot me pak vështirësi erdhi në gjykatë, dhe askund nuk e shfaqi që nuk e kupton akuzën. Teksa ne po debatonim për gjendjen e tij shëndetësore, kishim mundur t’i themi fjalët hyrëse. Propozoj që në seancën e ardhshme të thirret një ekspert i fushës së neuropsikiatrisë për të vlerësuar nëse i akuzuari është i aftë për të ndjekur gjykimin”

Mbrojtja e Gjoko Popovskit tha se ai sot ka ardhur në gjykatë me qindra vështirësi vetëm shkaku i presionit mediatik dhe të prokurorisë që dyshonin në raportet e tij mjekësore.

BORO TASEVSKI, AVOKAT

“Njeriu ka arsye të forta psikologjike pasi edhe përkundër faktit që është në pushim mjekësor dhe që është nën ndikimin e ilaçeve të forta, u paraqit në gjykatë. Rol shumë të madh këtu ka luajtur presioni mediatik. Gjendja e tij e depresionit është paraqitur prej fillimit të këtij viti por anulimi i seancave të fundit nuk ishte për këtë shkak por për shkak të pengesave fizike. Në momentin kur ai të jetë i përgatitur, ashtu si mundet, me ndihmën e bastunit ose familjarëve ai do të paraqitet në gjykatë”

Me short të rastësishëm, nga lista e neuropsikiatrave, u zgjodh mjeku Petre Risteski i cili duhet të bëjë vlerësim mjekësor në seancën e ardhshme të caktuar për 1 dhjetor. Sipas akuzës, Gjoko Popovksi dyshohet të ketë manipuluar tender për blerje të 300 makinave të policisë dhe ka dëmtuar buxhetin për 450 mijë euro duke ia dhënë tenderin një kompanie që ka pasur çmim më të lartë nga konkurrentët e tjerë.  /SHENJA/