Katica Janeva ngriti dyshime për pesë persona në aksionin e radhës të saj nën emrin “Fortesa”. Ata dyshohen se kanë shkatërruar pajisjen për ndjekjen e komunikimeve të DSK-së edhe atë menjëherë pasi njëri nga të akuzuarit në lëndën “Puçi”, pranoi se bisedat e përgjuara janë bërë me pajisjet e policisë sekrete. I dyshuari i parë në këtë rast është shefi i drejtorisë së pestë, Goran Gruevski, person për të cilin dje gjykata refuzoi t’i bastiset shtëpia. Ndërkaq, tërë natën prokuroria speciale nuk mundi ta gjejë për ta privuar nga liria. Sipas Prokurorisë Speciale, ai ka keqpërdorur pozitën zyrtare dhe ka falsifikuar dokumente zyrtare. 

“I dyshuari i parë për shkak të fshehjes së personave të tjerë të cilët pa autorizim i kanë përdorur sistemet për ndjekjen e komunikimeve të DSK-së, gojarisht i ka urdhëruar personat udhëheqës të njësive organizative në suazat e Sektorit për mbështetje operative-teknike të operacioneve ku për dorëzimin e njoftimit për gjendjen e pajisjeve materiale-teknike në DSK. Urdhri i këtillë është dhënë me qëllim që të tregohet gjoja nevoja për shkatërrimin e sistemeve për ndjekjen e komunikimeve, edhe pse në përputhje me Raportin nga regjistrimi i vitit 2014 nuk është konstatuar nevoja për asgjësimin e pajisjeve ose sistemeve në çfarëdo baze”,

Një muaj më vonë, sipas Prokurorisë Speciale në kundërshtim me ligjin, janë bërë komisione të cilat më pas kanë miratuar akte për shkatërrimin e pajisjeve. Pajisjet janë shkatërruar dy herë me radhë, në dy hekurishte. Çdo gjë është regjistruar dhe dokumentuar, por më pas edhe ky material është asgjësuar.

Në gjithë këtë proces, dyshohen edhe tre persona të punësuar në DSK dhe MPB, për të cilët kërkohet t’u merret pasaporta, t’u shqiptohet ndalesë për largim nga vendbanimi dhe largimin e tyre nga aktivitetet e caktuara të punës. Në këtë lëndë dyshohet edhe ish ministrja e brendshme Gordana Jankullovska për shpërdorim të pozitës zyrtare pasi ka marrë pjesë në kërkesat për shkatërrimin e pajisjeve. Për të nuk kërkohet paraburgim, por t’i merret pasaporta dhe të mos ketë të drejtë të largohet nga Shkupi.

Fakti që pajisjet janë shkatërruar, sipas Prokurorisë Speciale, nuk do të thotë se nuk do të gjejnë prova se kush ka realizuar përgjimet.

“Procesi parahetimor zhvillohet për përgjimin, për atë se kush ka përgjuar në R. Maqedonisë. Ne besojmë se edhe krahas sistemeve të shkatërruara për ndjekjen e komunikimeve, megjithatë do të gjendet ndonjë mekanizëm që përmes të dhënave teknike do të ekzistojë ndonjë mënyrë që të konfirmohet se kush në të vërtetë ka përgjuar dhe të sigurohen provat për këtë”, deklaroi Ristovska.

Nga Prokuroria Speciale thonë se lënda “Fortesa” nuk do të jetë e vetmja që do të trajtojë përgjimet e paligjshme. Nga ana tjetër, ka mundësi që shumë shpejt të zgjerohet numri i personave të dyshuar, kur ekipi i Katica Janevës do të sigurohet se ka grumbulluar prova të mjaftueshme.

Ne vazhdim konferenca per shtyp e plote: