Ka vazhduar edhe sot rebelimi i disa prej të akuzuarve në rastin “Kumanova”. Të njëjtit nuk pajtohen me veprimet e gjykatës, e cila kishte mohuar dëshminë e disa prej të propozuarve nga ana e palës mbrojtëse, raporton gazeta Lajm.

Andi Krasniqi- Malisheva, Ragmi Latifi dhe Demë Shehu kanë qenë më të zëshmit, duke e akuzuar gjykatën se është selektive.

“Nuk po dua t’i dëgjoj përrallat e juaja, dua të dal jashtë”, deklaroi Andi Krasniqi.

Ragmi Latifi ka pyetur trupin gjykues se ese e nuk sollën Shenasi Mehmetin me polici.

“Kur ishte puna me më arrestuar mua deri në Hotël erdhët. Ju jeni gjykatë e VMRO-së”, tha Ragmi Latifi.

“Kam pasur konsideratë të lartë për muaj. Kam shpresuar se jeni një zonjë e hekurtë e cila do ta zbardh këtë rast, mirëpo mëse i qartë është bashkëpunimi juaj me prokurorinë”, pohoi Demë Shehu.

Gjykatësja Verka Petrovska ka thënë se në mënyrë të rregullt është thirrur Shenasi Memeti dhe ka kujtuar të akuzuarit dhe palën mbrojtëse se kur kishin rastin të prononcohen, dhe e përmendën emrin e Shenasi Mehmetit, asnjë emër tjetër nuk kanë dhënë. Megjithatë nuk u dha ndonjë sqarim shtesë se pse i njëjti nuk është paraqitur ende në gjykatë.

Shenasi Mehmeti është nëpunës i lartë në Agjencinë e Zbulimit të Maqedonisë.

Ndërkaq, avokatja mbrojtëse Artene Ademi, për media tha se me deklarata të herëpashershme nuk mund të transmetojmë shkeljet që bëhen nga ana e gjykatës dhe prokurorisë.

“Do ta përmendi shembullin e fundit, gjykata refuzoi plotësimin e dëshmive të provave, me arsyetimin se mbrojtja është dashur t’i parashtron qysh në fazën e hetuesisë. Dhe, ne sot përsëri propozojmë dëshmi të reja, për arsye se ato dëshmi kanë dalë nga vet procesi gjyqësor. Do të thotë se mbrojtjes, as të akuzuarve, as në fazën e hetuesisë, as në fazën e vlerësimit të aktakuzës nuk u është lejuar shiqim në provat e propozuara nga ana e prokurorisë”, theksoi avokatja Ademi, raporton gazeta Lajm.

Sipas saj, arsyeja e mospranimit të dëshmive tona është e pabazë. Do ta elaborojmë edhe me shkrim.

“Në prapë do t’i propozojmë dëshmitë e reja me një elaborim më të gjerë, duke vërtetuar se pse është e nevojshme të nxirren ato prova”, përfundon avokatja.