Prokuroria Speciale nuk heq dorë nga kërkesa për shqiptimin e masës së paraburgimit për biznesmenin Sead Koçan. Ata kanë përsëritur kërkesën e tyre para Këshillit Penal, mes tjerash duke theksuar se kompania “Transmet” akoma po vazhdon të fitojë tenderë nga institucionet, andaj ekziston rreziku që vepra të përsëritet.

“Prokuroria Speciale kërkon që të ndryshohet vendimi me të cilën është refuzuar kërkesa jonë për shqiptimin e masës së paraburgimin. Të mos pranohet garancia që është dhënë. Vlerësojmë se në këtë moment nuk ekziston ndonjë garanci e mjaftueshme që garanton se i dyshuari nuk do të ikë sërish”, tha prokurori special, Gavrill Bubevski.

Ndërkohë, Sead Koçan ka ofruar garanci prej 1 milion eurove për t’u mbrojtur në liri. Avokati i tij, Nikolla Dodevski, tha se garancia e ofruar është më se e mjaftueshme dhe pret që Këshilli Penal të vërtetojë vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake

“Në të gjitha vendet demokratike, ofrimi i garancive është një çështje e zakonshme për të siguruar prezencën e të pandehurit gjatë procedurës gjyqësore. Në Maqedoni, është ofruar një garanci tejet e lartë e cila me të drejtë është pranuar nga gjykatësi i procedurës paraprake. Për ne, është e pakuptimtë dëshira e prokurorisë që Sead Koçan të jetë në paraburgim me çdo kusht”, tha avokati Nikolla Dodevski.

Gjykata ka afat prej 48 orëve që të prononcohet në lidhje me ankesën e Prokurorisë Speciale, e cila është parashtruar mbrëmë. Sead Koçan është i dyshuar në rastin “Trust” të Prokurorisë Speciale, që kishte të bënte me falsifikimin e dokumenteve nëpërmjet të cilave nga kompania ELEM ka fituar tender në vlerë prej 17 milionë eurove./SHENJA/


Rasti “Trust”, Specialja e vendosur për… by tvshenjaofficial