Meqë janë bërë shumë vite premtime boshe dhe mashtrime, Këshilli Vendor i Lëvizjes BESA në Luboten shpreh indinjatën e thellë ndaj manipulimit të vazhdueshëm që i bëhet këtij fshati, i cili, si pak vendbanime të tjera shqiptare, e ka vuajtur konfliktin e vitit 2001. Megjithatë, sikur të mos mjaftonte ajo katrahurë, partia shqiptare që doli nga ajo luftë dhe e cila ende vazhdon ta mbajë pushtetin, pa fare turp vazhdon ta mashtrojë fshatin Luboten. Ky fshat akoma e ndjen mungesën e ujit të pijshëm, mungesën e ambulancës, të dritave, të objektit të duhur shkollor, madje thuaja gjithçka që është bërë në këtë fshat, është bërë me vetëkontribut të fshatit. Përveç kësaj, fshatarët e Lubotenit duke parë mosinteresimin që tregojnë si autoritetet komunale poashtu dhe ato qëndrore për nevojat themelore që kanë nxënësit e këtij fshati detyrohen të blejnë truall, që Ministria e Arsimit të ndërtojë sallë sporti e cila është më se e nevojshme për zhvillimin normal të procesit edukativo arsimor në shkollën e këtij fshati, e cila përsëri nuk bëhet, ndërsa fshatarëve u mbetet faji se pse nuk e kanë rregulluar dokumentacionin. Sikur ata të jenë qytetarë privatë të një shteti të Marsit e jo të këtij vendi!

Në anën tjetër, Komuna e Butelit, ku bie edhe Luboteni, dhe e cila qeveriset nga dyshja e famshme antishqiptare VMRO-BDI, akoma nuk e ka parë të arsyeshme të bëjë ndonjë investim kapital në Luboten, madje as ta mundësojë përdorimin e gjuhës shqipe. Që të mos duket krejt zi, do të duhet të themi se “suksesi” i vetëm i këtij pushteti antishqiptar për Lubotenin janë punësimet partiake me ryshfet 2000-5000 euro, si dhe ardhja e vajtojcave në fshat, të cilat pasi e kanë pritur dhe nderuar si më mirë Tarçullovskin, vijnë më 13 gusht në Luboten e vajtojnë si gra Zajazi dhe derdhin lot krokodili.

Të gjendur në këtë situatë, Këshilli Vendor i Lëvizjes BESA nuk do të heshtë më para këtij diskriminimi dhe do ta ngrejë zërin gjithnjë kundër këtyre padrejtësive. Ndërkaq oferta e BESËS për Lubotenin do të jetë konkrete dhe korrekte, duke mos premtuar gjëra që nuk do të mund të realizohen, por BESA nuk do të bëjë kurrë asnjë kompromis me nevojat elementare të fshatit, si: ujësjellësi, ambulanca, shkolla, rrugët dhe infrastruktura tjetër e patjetërsueshme.

besa-540x330