Pas shpalljes së rezultateve të referendumit të qytetarëve të Britanisë së Madhe për daljen ose mbetjen e këtij vendi në BE ku u përcaktua dalja e Anglisë nga Unioni Evropian, menjëherë kanë ardhur reagime nga personalitete dhe funksionarë të ndryshëm të Evropës.

Britanikët kanë vendosur që të dalin nga Bashkimi Evropian, por ajo që diskutohet pas referendumit është se çfarë do të ndodhë më tej.

Do të kemi një zhvlerësim të fortë të funtës britanike dhe një paqëndrueshmëri në tregjet kapitale. Këshilli i Evropës do të mblidhet më 28 qershor, ku Britania e Madhe do të formalizojë kërkesën për tërheqje. Procedurat mund të zgjasin deri në 2 vjet, ku Britania duhet të rishikojë të gjitha marrëveshjet. Marrëveshja përfundimtare mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian do të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe ai britanik me shumicë të cilësuar. Gjithashtu britanikët humbin lirinë e lëvizjes për punë dhe për shërbime publike në vendet e BE. Nigel Farage, udhëheqësi i Lëvizjes për pavarësinë e Britanisë së Madhe, ka deklaruar fitoren në referendum dhe e ka cilësuar 23 qershorin si “ditën e pavarësisë” së Britanisë së Madhe. Ai i bëri thirrje kryeministrit Deivid Kamerun që menjëherë të jap dorëheqje. Një këshilltar i kryeministrit Deivid Kamerun tha se Britania e Madhe tani ndodhet në një “territor të pashënuar”. Shumica e qyteteve në Anglinë verilindore votoi për dalje ndërkohë që Skocia dhe Irlanda Veriore votuan për mbetje. Londra e përkrahu fuqishëm mbetjen në BE.

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Shulz, ka thënë se BE-ja është e përgatitur mirë për rezultatin e referendumit, por tha se i vjen keq për vendimin për të dalë jashtë unionit. Ai tha se ai e respekton vullnetin sovran të votuesve britanikë, ndërsa shtoi shtoi se tani “ne jemi të qartë që britanikët do të ndjekin rrugën e vet”. Shulz tha gjithashtu se fushata e referendumit në Britani të Madhe nuk ishte një model i mirë. Largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian duket se nuk është pritur mirë edhe nga Presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk. Në një reagim në Twitter, Tusk shkruan se ky është një moment dramatik, sidomos për Mbretërinë e Bashkuar. “Ky është një moment edhe më dramatik, sidomos për Mbretërinë e Bashkuar. Ne jemi të përgatitur për këtë skenar negative. Nuk do të ketë vakum ligjor”, ka deklaruar Tusk. Po ashtu ai është shprehur se në emër të 27 vendeve të BE “jemi të vendosur të mbajmë unioni tonë”. Më tej ai shkruan se do t’i propozojë udhëheqësve të BE që të fillojnë një reflektim të gjerë mbi të ardhmen e unionit.

Ndaj rezultatit “Leave” të Referendumit në Britaninë e Madhe për daljen e saj nga Bashkimi Evropian ka reaguar menjëherë edhe politika italiane. Në orët e para të mëngjesit të sotëm kryeministri italian Matteo Renzi ka mbledhur me urgjencë ministrat e qeverisë së tij. Në këtë mbledhje ishte i pranishëm dhe Guvernatori i Bankës Italiane Ignazio Visco. “Është një shok politik, një lajm mjaft i keq për të gjithë ne, që na çon drejt të së panjohurës” është komenti i Sekretarit të shtetit në qeverinë Renzi për Çështjet Evropiane, Sandro Gozzi. “Procedura e daljes së Britanisë së madhe nga BE mund të zgjas maksimumi 2 vjet e është në interesin tonë që kjo dalje të jetë sa më e shpejt e qartë e me zgjidhjet më të mira të mundshme. Nuk duam të ecim përpara në paqartësi.” Lideri i “Lidhjes së Veriut” Matteo Salvini është nga të parët politikan që ka komentuar në profilin zyrtar të tij në rrjetet sociale;

“Tani na takon ne”, shkruan Salvini “Faleminderit UK. Rroftë kurajo e qytetarëve të lirë. Zemra, truri e krenaria i mundën gënjeshtrat, kërcënimet e shantazhet.” Ish kryeministri italian Enrico Letta në profilin e tij në Twitter ka komentuar rezultatin e këtij referendumi duke u shprehur; “Kanë zgjedhur e duhet ta pranojmë. Është koha që liderët evropianë të reagojnë në lartësinë e kësaj sfide historike të Brexit.” Ndërsa Nënpresidenti i Parlamentit Evropian italiani Antonio Tajani është shprehur; “Janë bërë shumë gabime. Evropa është e përbërë nga njerëz e jo vetëm nga monedha. Duhet një Evropë më pranë qytetarëve. Duhet të ndryshohet drejtim.”

Ndërkohë Bursa e Milanos ka nisur ditën sot me një humbje prej rreth më shumë se -10%.

Pas largimit të Britanisë nga BE ka reaguar edhe guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney i cili tha se ndikimet priten të jenë 10 herë më të mëdha sesa efektet e krizës globale. Po ashtu ai tha se Banka e Anglisë është e gatshme për të rregulluar paqëndrueshmërinë e tregut.

Mark Carney tha: Bankat do ta marrin masat paraprake për të reduktuar ndikimin në sistemin financiar. Ndikimet priten të jenë 10 herë më të larta sesa efektet e krizës globale

Pritet të ketë ndikime edhe në kapital, 130 mld funte dhe ky kapital kërkon likuiditet. Bankat do të ofrojnë 250 mld funte shtesë në luciditetit. Ne presim që institucionet e tjera ti bashkohen kësaj nisme dhe për të mbështetur ofrimin e shërbimeve të tjera. Ne do të marrim masat për atë që mund të ndodhë.

Referendumi është një vendim i rëndësishëm dhe ne kemi një plan të përcaktuar në sistemin financiar. Të gjitha këto burime do t’i shfrytëzojmë për mirëfunksionimin e sistemit.

Janë këto vendime në sektorin publik dhe privat që kanë dhënë kontribut në bankën e Anglisë dhe këto masa janë për të garantuar vijimësinë e stabilitetit financiar.

Jemi të gatshëm të marrim çdo masa që mund të kërkohet në vijim.