Derisa është afruar koha e zgjedhjes së Hashim Thaçit për president, anëtarësia e LDK-së nuk po qëndron duarkryq. Nesër në ora 11:00 dia nëndegë nga Gjilani, Prishtina, Podujeva, Peja, Istoguë, Gjakova e Kaçaniku do të protestojnë para selisë së LDK-së në kundërshtim të zgjedhjes së Hashim Thaçit president.

Lajmin për Gazetën Blic e ka konfirmuar Ridvan Haliti, anëtar i Kryesisë së nëndegës së LDK-së së Dobërçanit, nëndegë kjo e cila tash e sa kohë  po e kundërshton zgjedhjen e Hashim Thaçit për president.

Haliti i ka thënë Gazetës Blic se pos kësaj nëndegë, do të jenë edhe shumë nëndegë tjera që do të protestojnë nesër, ku do t’i kërkohet deputetëve të LDK-së që të mos e votojnë Hashim Thaçin për president.

“Disa nëndegë nga Gjilani, Prishtina, Podujeva, Peja, Istoguë, Gjakova e Kaçaniku nga ora 11:00 do të mblidhen para shtatores së Ibrahim Rugovës, për të vazhduar protestën para selisë së LDK-së”, tha ai.

Ndërkohë, sot Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që seanca e zgjedhjes së Hashim Thaçit president, të mbahet ditën e premte, duke filluar nga ora 11:00. Në anën tjetër,opozita ka thirrur protestë për të mos lejuar zgjedhjen e kryetarit të PDK-së si president shteti.