Kur kanë mbetur vetëm edhe disa ditë deri në mbarimin e gjysmë vjetorit të parë shkollor, shumë nxënës të shkollave të vendit ende nuk janë furnizuar me tekstet e nevojshme shkollore. Pos kësaj mungese, shkollat e vendit përballen me probleme të theksuara në shumë sfera, ndërkaq reformat e paralajmëruara nga dikasteri i Arsimit, ende nuk po gjejnë zbatim.

Ministrja e Arsimit Renata Deskovska paralajmëroi debat publik për reformat për tre klasat e para ndërkaq për mungesën e librave, fajësoi drejtorët e shkollave, të cilët sipas saj, nuk kanë dërguar në ministri kërkesën për furnizim me tekstet e nevojshme shkollore.

”Ka pasur shkolla të caktuara ku drejtorët e tyre nuk kanë shprehur nevojën e furnizimit me libra të caktuar. 9:35 Drejtorët e atyre shkollave as që kanë dërguar listën me librat e nevojshëm. 6:30 Për momentin po punon grupi i punës në bashkëpunim me byronë për zhvillimin e arsimit rreth planeve mësimore të shkollimit fillor. Deri në këtë moment kemi materialin fillestar i cili së shpejti do të jetë në debat publik për reformat në tre klasa ( e para, e dyta dhe e treta). Planifikojmë që reformat që do të nisin nga klasa e parë të mos jenë në të gjithë shkollat po diku të jenë pilot me qëllim që të shihen efektet e atyre reformave” – deklaroi Renata Deskovska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Derisa shumë shkolla në vend po përballen me mungesë të kushteve themelore për zhvillimin e arsimit, kryeministri Zaev paralajmëron ndërtimin e laboratorëve nëpër shkolla, heqjen e disa lëndëve nga planprogrami mësimor dhe shtimin e aktiviteteve praktike.

”Veçmë kemi rritur shumën në buxhetin e 2018-tës për përgatitjen e studimeve të huaja. Shumë nga çështjet që duhet të ndryshohen kanë të bëjnë me motivimin e mësimdhënësve dhe nxënësve, kreativitetin e tyre, ndjekjen e trendëve botërore në arsim. Vitin që vjen do të fillojë edhe pajisja e shkollave fillore dhe të mesme me laboratorë që do të ndikojë në mësimin praktik dhe nxitjen e interesimit te nxënësit. Poashtu planifikojmë ta zvogëlojmë numrin e lëndëve nëpër shkolla. Nxënësit të mund që njohuritë kryesore t’i marrin në shkollë dhe të kenë më shumë kohë të lirë në shtëpi” – tha Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë.

Reformat e lartpërmendura nga kryeministri dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës kanë qenë edhe premtime parazgjedhore. Deri më tash, pos shfuqizimit të testimit ekstern asnjëra nga këta reforma nuk ka gjetur zbatim. /Alsat-M/