Reformat në administratën publike të cilat duhet të japin rezultatet e para në fund të këtij viti, edhe pse nga Komisioni Evropian u cilësuan si në rrugën e duhur, nuk vlerësohen të tilla nga opozita dhe sektori civil. Xhabir Deralla nga Qendra për liri “Civil” vlerëson se administrata edhe më tej mbetet e politizuar dhe stërngarkuar kurse rezultatet e pritshme nga reformat janë pothuajse të padukshme.

Mund të thuhet se janë marrë ose janë vazhduar praktikat e vjetra. Nga ana jonë është vërejtur se ajo që quhet administratë e partizuar tërësisht tani nuk është aq prezente por nuk është zhdukur tërësisht. Përkundrazi është akoma e dukshme. Do të thoja se tani administrata nuk është e partizuar vetëm nga një parti dhe nga partneri i saj i koalicionit por tani është e partizuar nga më shumë parti, përfshirë edhe opozitën. Administrata në vend është të paktën 50% më e madhe se sa duhet të jetë. Gjysma e administratës në këtë vend është e panevojshme”-tha Xhabir Deralla, Qendra për liri “Civil”.

Nga partia opozitare VMRO-DPMNE, vlerësojnë se administrata tani është më e partizuar se kurrë.

Për momentin, administrata publike është më e partizuar se kurdoherë në historinë e Maqedonisë. Vetë kemi qenë dëshmitarë të një sërë punësimesh në bazë nepotizmi edhe atë nga personat e parë të LSDM-së, të afërmit e të cilëve u vendosën në pozitat më të larta në ndërmjarrjet publike dhe shtetërore dhe në të gjithë institucionet”-pohoi Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Komisioni Evropian në raportin e progresit për vendin kishte theksuar se në këtë sektor është arritur progres duke u vendosur korniza e reformave dhe duke rritur transparencën, por ka akoma punë për të bërë.

Maqedonia e Veriut është e përgatitur mesatarisht me reformën në administratën publike… Janë ndërmarrë hapa për të zgjidhur emërimet e dyshuara si politike. Megjithatë, më shumë përpjekje nevojitet për të rritur përgjegjësinë e administratës dhe të parandalojnë politizimin e saj. Të respektohen principet e transparencës dhe meritave kurse thelbësore mbetet përfaqësimi i barabartë”-thuhet në Raportin e Komisionit Evropian.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, disa herë ka përsëritur se reformat e para në këtë sektor opinioni do të mund t’i vërejë duke filluar nga fundi i vitit 2019. Nga ana tjetër, numri i saktë personave të angazhuar në bazë të Marrëveshjes së Ohërit dhe kriterit për përfaqësim të drejtë etnik që marrin rroga por nuk kanë një vend pune, është i panjohur. Për një pjesë prej tyre procedura ka filluar por assesi të përfundojë kurse mendohet se rreth 1 mijë të tjerë nuk janë planifikuar në asnjë strategji sistematizimi.