“Xhamitë janë zyrat tona”, ishte premtimi i Haxhi Hafëz Shaqir efendi Fetait, menjëherë pasi e morri
përgjegjësinë që të udhëheq me Bashkësinë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut. Ai atëbotë, tha se
do të jemi gjithmonë pranë xhematit dhe besimtarëve tanë, në të katër anët e vendit. Në këtë frymë,
Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, të Premten më 04 Shtator, vizitoi Myftininë e
Myftinisë së BFI Manastir, ku u prit nga Myftiu i Manastirit Hamit ef. Rasimi, në shoqërinë e besimtarëve,
bashkëpunëtorëve të tij dhe operativës së kësaj Myftinie.
Pas një vizite të shkurtër nëpër ambientet e Myftinisë së Manastirit, Kryetari i BFI nga të pranishmit dhe
Myftiu Rasimi u informua për mbarëvajtjen e punëve në Myftininë e Manastirit, realizimin e projekteve të
ndryshme të kësaj myftinie si dhe projekteve që janë planifikuar apo në realizim e sipër. Reisi gjithashtu
u informua edhe për organizimin e jetës fetare në këtë qytet me rrethinë, e sidomos për problemet me të
cilat përballen disa fshatra që kanë mungesë të objekteve fetare, si dhe objektet fetare që janë jashtë
përdorimit.
Pasi dëgjoi të pranishmit në këtë takim, Kreu i BFI H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i shprehu mirënjohje Myftiut
dhe operativës të kësaj myftinie për punën shembullore në organizimin e jetës fetare dhe administrimin e
Myftinisë në përgjithësi, duke u premtuar mbështetje dhe përkrahje më të madhe nga BFI. Ai më pas i
njoftoi të pranishmit edhe për ndryshimet në BFI dhe vizionin drejt të cilit po drejtohet Institucioni më i
vjetër në vend, Bashkësia Fetare Islame, ku edhe mori mbështetje nga xhemati në Manastir dhe nga
Myftinia e këtij qyteti.
Pas takimit në Myftininë e Manastirit, delegacioni i lartë i BFI bëri faljen e namazit të xhumasë në një nga
xhamitë më të bukura në qytetin e Manastirit, Xhaminë Isak Çelbi.
Fillimisht ceremonia fetare filloi me një akt simbolik, ku në shenjë mirënjohje për përkushtimin dhe
organizimin e jetës fetare në Manastir, Kryetari i BFI, Shaqir ef. Fetai për drejtuesit e Muftinisë ka ndarë
një mirënjohje dhe disa kopje nga Kurani Famëlartë. Ai gjithashtu ka premtuar mbështetje edhe më të
fuqishme për Myftininë e Manastirit në drejtim të realizimit të projekteve të kësaj Muftinie.
Myftiu i Myftinisë së Manastirit është shprehur falënderues për vizitën e bërë, e cila është një vizitë e
nivelit ë lartë, që i kishte munguar Manastirit. Sipas Myftiut Rasimi, vizita e Reisit është një shtytje e
fuqishme për punët që Myftinia e Manastirit planifikon ti realizoj në të ardhmen.
Nga Xhamia, Kreu i BFI H. Hfz. Shaqir ef. Fetai në fjalimin e tij iu falënderua xhematit për pritjen
madhështore në këtë qytet, e sidomos një falënderim të posaçëm për kontributin dhe përkrahjen që ky
xhemat e jep në mirëmbajtjen e institucioneve edukativo arsimore të BFI, Medresenë Isa Beu dhe
Fakultetin e Shkencave Islame.
“Me vetëdije të lartë ju them se Bashkësia Fetare Islame gjithmonë do të jetë në shërbim të besimtarëve,
duke zbatuar gjithmonë porositë e Pejgamberit më të dashur të njerëzimit, Muhamedit a.s. dhe mësimet
e Kuranit Fisnik.” Tha mes tjerash Reisi, duke shtuar më tej se: “Me besimin në Zot, duke u mbështetur
në besimin dhe respektin ndaj njëri tjetrit, ngritjen e vetëdijes tek respekti mes njerëzve, amanetin që e
kemi marrë mbi supe, duhet ta çojmë përpara në mënyrë dinjitoze, e kështu ti japim Institucionit
kompetencën që e ka, andaj organizimi serioz dhe sa më i mirë i jetës fetare dhe prezantimi dinjitoz i
Islamit janë detyrimi jonë dhe obligim për ne”.
Më pas Faljen e namazit të Xhumasë e udhëhoqi Kreui i Bashkësisë Fetare Islame në RMV u.d. Reisul
Ulema H. Hfz. Shaqir ef Fetai, ndërsa hutben e xhumasë e mbajti Myftiu i Myftinisë së Strugës Mr. Salim
ef. Sulejmani.
Pas namazit të Xhumasë, delegacioni i Bashkësisë Fetare Islame udhëhequr nga muftiu Hamit ef.
Rasimi ka vizituar edhe Jeni (Yeni) Xhaminë dhe Xhaminë Haxhi Mahmud Bej në të cilën për momentin
zhvillohen punimet për rindërtimin dhe restaurimin e saj. Ndryshe, në Manastir nga dhjetë Xhamitë që
disponon qyteti i Manastirit, gjashtë janë funksionale.