Me rastin e Muajit të agjërimit, si çdo vit, edhe kësaj radhe Reisul Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, shtroi iftarin tradicional, “sofrën e përbashkët”, në të cilën morën pjesë përfaqësues të ndryshëm të jetës politike, liderë partish, ministra, deputetë, përfaqësues të pushtetit lokal, përfaqësues të korit diplomatik në vend, përfaqësues të botës akademike, të mediave, të shoqërisë civile, myfti dhe nëpunës të Bashkësisë Fetare Islam.

Me këtë rast, efendi Rexhepi pas i falënderoi mysafirët, duke shprehur respekt për të gjitha sakrificat që i bëjnë myslimanët përgjatë Muajit të Bekuar, shprehu mirënjohje të thellë edhe për të gjithë ata që e nderuan këtë iftar të përbashkët. Duke nënvizuar se ky tubim ka karakterin e dëshmimit dhe përforëcimit të bashkëpunimit të vazhdueshëm, Reisul Ulema do të theksojë: “Filozofia e një iftari të këtillë nuk është vetëm një takim formal gjithëpërfshirës, nuk është vetëm, thjesht, ngrënie e një vakti në një kohë të caktuar! Mbi të gjitha, ky takim ka kuptimin e demonstrimit të unitetit të përgjithshëm, unitet ky që reflekon  respekt, dashuri, mirëqenie. Zaten, takimet e këtilla, ndonëse pa fjalë, përçojnë mesazhe kuptimplote se këtu ka jetë, ka koherencë dhe ka paqe në një kornizë ku divergjencat kulturore e fetare i japin kuptim pamjes që paraqet realitetin tone”, tha efendi Rexhepi gjatë përshëndetjes që ia drejtoi këtij auditoriumi të gjërë e të respektuar.