Partia e drejtuar nga Nikolla Gruevski ka fituar 37.96 për qind të votave, ndërsa Zoran Zaev 36.65 për qind, referuar rezultateve që komisioni i zgjedhjeve ka publikuar bazuar në numërimin e rreth 98 për qind të votave.

Një rezultat përfundimtar pritet rreth mesditës së sotme. Kështu shkruan Reuters në një artikull për situatën poszgjedhore në Maqedoni, duke theksuar se kushdo që fiton duhet të bëjë koalicion me partitë që përfaqësojnë shqiptarët.

“Dy partitë kryesore sipas numrit të votave të fituara janë shumë afërt me njëra­tjetrën, dhe ky ndryshim në numrin e votave të fituara ndikon në shpërndarjen e mandateve, në varësi të kufirit të gabimit”, u tha pas sondazheve të djeshme.

Zgjedhjet parlamentare erdhën pothuajse një vit pasi Gruevski dha dorëheqjen si kryeministër në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për t’i dhënë fund një krize në vend pas skandalit të korrupsionit.

Sfiduesi kryesor i Gruevskit, Zaev, akuzoi qeverinë duke lëshuar “Bombat” e përgjimit që implikonin qeverinë në korrupsion. Partia VMRO­DPMNE ishte vendosur më vete ose si partia më e madhe e koalicionit që nga viti 2006 deri në instalimin e një qeverie teknike dhe thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme në janarin e kaluar. Ndërkohë që LSDM festoi se kishte fituar qytetet më të mëdha. “Regjimi ra.

E gjithë bota duhet të kuptojë se kemi shkruar historinë” u tha Zaev mbështetësve para ndërtesës së qeverisë në Shkup. Gruevski deklaroi fitoren për partinë e tij.

 “VMRO­DPMNE është fituesi i këtyre zgjedhjeve. Sot, VMRO­DPMNE ka fituar, por edhe Maqedonia fitoi,” u tha ai përkrahësve në Shkup. Kushdo që fiton, qeveria do të duhet të kërkojë një partner koalicioni midis partive që përfaqësojnë shqiptarët etnikë, të cilët përbëjnë një të tretën e popullsisë. Zgjedhjet e parakohshme u shtynë dy herë në Maqedoni, pasi opozita i bojkotoi ato, duke kërkuar masa për të siguruar votimin e lirë dhe të ndershëm.

“Unë jam duke shpresuar se kjo çmenduri do të ndalet pas zgjedhjeve. Unë shpresoj që një parti më e mirë do të fitojë”, tha 52­vjeçari Orde Serafimovski, një i papunë teksa hodhi votën e tij dje në kutinë e votimit. Bashkimi Evropian ka kritikuar prej kohësh rekordet e Gruevskit për demokracinë dhe sundimin e ligjit, por gjithashtu ka nevojë për bashkëpunimin e Maqedonisë.

Maqedonia është një kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por nuk ka filluar bisedimet e pranimit, pjesërisht për shkak të kritikave për reformat dhe mosmarrëveshjet me vendet fqinje anëtare të BE­-së, si Greqia lidhur me emrin.

 11 partitë dhe koalicione garuan në zgjedhje, duke përfshirë edhe katër që përfaqëson komunitetin etnik shqiptar. Tradicionalisht, një parti shqiptare i bashkohet një qeverie koalicioni, si partner i vogël.