Komisioni shtetëror për antikorrupsion për të katërtën ditë me radhë hesht nëse do të ndërmerren masa rreth shpenzimeve pa mbulesë në Ministrinë e Arsimit. Prokuroria Publike nga ana tjetër theksoi se nuk mund të ndërmarrin asnjë hap për aq kohë sa raporti i revizorëve nuk mbërrin në këtë Institucion.

“Në prokurorinë Publike ende nuk ka mbërritur raporti i Entit shtetëror për revizion, e që ka të bëjë me punën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.

Për ish anëtarin e komisionit antikorrupsion ndërkaq është e paimagjinueshme dhe e palejueshme mosveprimi i institucioneve. Sipas tij, raporti i Revizionit, nxjerr në pah një varg parregullsish në punën e Ministrisë së Arsimit.

Musa shprehet se është e palejueshme që institucionet kompetente si Prokuroria Publike dhe Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit të mos veprojnë shpejtë lidhur me këtë lëndë. Ai tha se është e palejueshme që ministri dhe të punësuarit e tij të hanë dhe pinë në restorante luksoze, ndërsa fëmijët të mësojnë në kushte të vështira dhe në shkolla që u ngjajnë bunkerëve të mesjetës. Revizorët vërtetuan se Ministria ka shpenzuar 203 mijë euro që nuk kanë qenë të mbështetura me dokumentacion përkatës. Është shpenzuar në hotele me pesë yje, restorante dhe udhëtime. Revizori bën të ditur se Ministria ka shpenzuar edhe 173 mijë euro para buxhetore për angazhimin e personave për të cilët nuk ka pasur pëlqimin e Ministrisë së Financave, ndërsa një pjesë e tyre njëherësh ka punuar edhe në institucione tjera./alsat-m