Në Tetovë, u organizua Kuvendi i I-rë i Rinisë së Lëvizjes për Reforma PDSH. Evenimenti u karakterizua me organizimin madhështor që rinia tetovare kishte pregaditur. Prezenca masovike e të rinjve të qytetit të Tetovës është një sinjal se ndryshimi duhet të ndodhë duke filluar nga rinia, si pjesa më vitale e një shoqërie, dhe duke vazhduar më tej me të gjithë grupmoshat tjera shoqërore të cilat ndjejnë që ky pushtet punon në drejtim të kundërt me interesat shqiptare.

Në këtë eveniment, u zgjodhën strukturat drejtuese të rinisë së LR-PDSH-së në Tetovë. Për kryetar u zgjodh inxhinjeri i elektroteknikës, i diplomuar në Prishtinë, z.Lumnim Jonuzi.

Në fjalën e tij, kryetari i sapozgjedhur i rinisë Lumnim Jonuzi, u shpreh: “Besimi që më dhatë sot, për mua paraqet një obligim madhor për të cilën do të punoj pa ndërprerë me kolegët dhe bashkëmoshatarët e mi që bashkërisht të mundohemi të sjellim reformë shoqërore, institucionale dhe kombëtare. Të hapin rrugë dhe ndërtojmë perspektivë për rininë tonë. Lëvizja jonë, lëvijza e gjeneratës së re domosdo të përfaqësohet denjësisht dhe të ngritet në nivelin e pritur. Na priftë e mbara dhe bashkë më të fortë”!

Fjalë rasti kishte edhe kryetari i Lëvizjes për Reforma PDSH z.Ziadin Sela i cili deklaroi që një nga pikat më të rëndësishme të Lëvizjes për Reforma është prezenca e intelektualëve të mirëfilltë në këtë parti. Ai u shpreh që: intelektualizmi nuk është diplomë dhe se të jesh intelektual domethënë të jesh mbi interesin personal tëndin dhe mbi nevojat personale të cilat i kemi, duke synuar gjithnjë për nevojat e përgjithshme. Intelektualë të vërtetë janë ata të cilët mbrojnë lirinë e tjetrit përpara vetes; ata të cilët mbrojnë të drejtat e tjetrit përpara vetes dhe se këta intelektualë me vetëdije kolektive i kemi në Lëvizjen për Reforma. Ne nuk jemi të interesuar për pushtet, por jemi të interesuar për të ndryshuar shtetin. Duke iu referuar sinqeritetit dhe ndershmërisë, elaboroi me saktësi që politika e mirëfilltë është politika e ndershmërisë dhe devotshmërisë ndaj elektoratit të cilët do t’i përfaqësojë. Ndërsa në fund bëri thirrje që ne duhet t’a mposhtim logjikën e skllavit, të cilën na e gatuan të tjerët. “Ne do ta meritojm lirinë aq sa do të mendojmë se duhet ti japim liri vetes. Ne do të meritojmë të drejta aq sa do të mendojmë se na takojnë të drejta”.

Evenimentin e përshëndeti edhe nënkryetari i LR-PDSH-së, Agon Ferati, i cili në fjalimin e tij tha se:        

“Duket që konstanta e zhvillimit të Lëvizjes për Reforma shkon në rritje e sipër. Rruga që kemi filluar, ka perspektivë dhe jetëgjatësi politike pikërisht përshkak të përqafimit që ia kanë bërë grupmosha të ndryshme shoqërore, por edhe masovitetit të rinisë që na mbështet. Rinia në shumë vende të botës ka gjunjëzuar qeveri e ka rrënuar sisteme të ndryshme, por ka ditur edhe të ringrisë institucione dhe shoqëri të shëndosha. Andaj edhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm se na presin jo një, por dy punë të mëdha: Ta rrënojmë këtë regjim kriminel që din vetëm të dëmtojë, rrënojë dhe uzurpojë dhe çast e më parë të instalojmë vlerat, drejtësinë dhe barazinë e shqiptarëve në këtë shtet. Jemi e vetmja rrugë kombëtare përmes së cilës mund të ndodhin ndryshimet pozitive, andaj duhet ta mbështesim dhe fuqizojmë këtë”.

Fjalën e mori edhe kryetarja e Asamblesë së femrës së LR-PDSH-së znj.Arta Toçi e cila bëri një paralele mes jetës së një të riu në Maqedoni dhe në vendet perëndimore:

“Ju e shihni se si jetojnë të rinjët në vendet europiane. Ata nuk janë më të mençur dhe më të mirë se ju, në asnjë menyrë. Ata kanë poitikanë më të mirë dhe më të mençur! Prandaj me të drejtë kërkoni që edhe ju të udhëhiqeni më ndryshe. Në mesin tuaj ka inxhinjerë, mjekë, profesorë, magjistra, piktorë, artistë dhe student me perspektive. Ju keni dinjitet prandaj dhe meritoni një shoqëri më dinjitoze e cila nuk do të tentojë t’ju blejë për para me prejrdhje të dyshimtë.Kjo parti u ngrit tashmë mbi baza të shëndosha, duke mbledhur rreth vetes shumë intelektualë të profesioneve të ndryshme, është kolektiv profesionistësh që angazhohen për të mirën shoqërore, mbi principet e punës dhe çiltërsisë.  Ju përgëzoj për organizimin, suksese.

Fjalë rasti pati edhe kryetari i degës së Tetovës Arif Selami, i cili tha:          

“Vallë jemi duke jetuar në një shtet normal! Përderisa dikush nga jashtë po bën përpjekje për të ndihmuar në këtë situatë, çka bëjmë ne?! Ne duhet të bashkohemi kundër korrupsionit dhe të ju tregojmë udhëheqësve aktual se “jo çdo gjë është në shitje” dhe se “mjaft është mjaft.” Siç thonë amerikanet: enough is enough! Ne të gjithë duhet të jemi pjesë e procesit që ka qëllim demokracinë e vërtetë, arsimim dhe kujdesin shëndetësor më të mirë, prosperitetin ekonomik për një jetë më të mirë në vendin tonë”.

“Ne të gjithë meritojmë të jetojnë në një vend të begatshëm, ku do jemi te lirë për të shprehur një opinion, të punësohemi pa frikë të përhershme që do të pushohemi nga puna, një vend ku paratë e taksapaguesve përdoren për të mbështetur zhvillimin e një sistemi funksional të kujdesit shëndetësor, një arsim cilësor dhe zhvillimin e një ekonomie të shëndoshë lokale.”