2 Shkurti rezultoi një ditë lamtumirash. Emra të mëdhenj largohen nga futbolli i luajtur, duke mbyllur një kapitull të rëndësishëm në karrierën e tyre. Pas Frenk Lampard është radha e Ronaldinhos, një prej sulmuesve më të mirë brazilianë të dekadave të fundit. Nëpërmjet një postimi në Twitter, Barcelona njofton rikthimin e “Gauchos” por këtë herë jo si futbollist. Për pak momente tifozët besuan në një rikthim të Ronaldinhos në fushë por ishte pikërisht e kundërta, lamtumira e Ronaldinhos. Në këtë mënyrë, ai tërhiqet pas një karriere të jashtëzakonshme por përpara i hapet një dritare e re, ai do të jetë ambasador në nivel botëror i klubit blaugrana.

Ronaldinho do të udhëtojë nëpër botë për të përfaqësuar Barcelonën në evente dhe aktivitete zyrtare. Ronaldinho e nisi karrierën në vitin 1998 me skuadrën e Gremios dhe tre sezone më pas bëri hapin e madh drejt Europës ku u bashkua me Paris Saint Germain. Vetëm dy vjet më vonë ai u transferua te Barcelona ku arriti kulmin si futbollist me 145 ndeshje dhe 70 gola. Dy tituj, 1 UEFA Champions League dhe një botëror klubesh fitoi “Gaucho” me klubin spanjoll, ndërsa arriti të triumfonte edhe në Serie A me Milanin në sezonin 2010-2011 ku u shpall kampion. Ronaldinho është gjithashtu një nga heronjtë e Botërorit 2002 të fituar nga Brazili, ndërsa me Seleçaon ka fituar edhe një Copa America dhe një Kupë Konfederatash.