Rrëshqitja e keqe diplomatike e Presidentit të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, paska dekretuar sot shpërbërjen e Parlamentit, dhe paska caktuar 6 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare. Nga pamja shihet si nuk është i lumtur me këto zhvillime politike të paparashikueshme. Shqetësimi i tij është i arsyeshëm, sepse rënia e qeverisë dhe zgjedhjet e reja, shënojnë fundin e projektit për “korrigjimin e kufijve me Serbinë”, një projekt që Presidenti i Kosovës e përvetësoi nga Moska dhe Beogradi.

Mungesa e aftësisë për të analizuar dhe parashikuar pasojat që mund të sjellin lëvizjet dhe qëndrimet mendjelehta dhe kryeneçe në diplomacinë ndërkombëtare, tashmë kanë rezultuar me izolimin total të presidentit Thaçi. Ky nuk është më i mirëseardhur askund në vendet Perëndimore, dhe zgjedhjet e 6 tetorit mund të jenë fundi i karrierës së tij politike.

Avantura diplomatike e Hashim Thaçit, e filluar vitin e kaluar, alarmoi jo vetëm shqiptarët, por edhe vendet Perëndimore, konkretisht vendet mike që na ndihmuan të çlirohemi dhe të pavarësohemi në kufijtë që Kosova i kishte derisa ishte pjesë konstituive e ish-Federatës Jugosllave.

Thaçi i injoroi të gjitha rregullat e lojës në diplomaci, kur theksoi hapur se angazhohet për bashkangjitjen e Luginës së Preshevës me Kosovën, qoftë edhe jashtë kornizës kushtetutëse të vendit. Më tej, ai shpjegoi në disa debate televizive me gazetarë dhe analistë, historinë e “dhuratave” që gjoja Aleksandër Rankoviç ia paska dhënë Kosovës, duke përmendur me emër Leposaviçin, Leshakun dhe Zubin Potokun.

Historitë e treguara nga vetë Thaçi, tregojnë se kemi të bëjmë me një projekt për shkëmbimin e territoreve, dhe për ta kuptuar këtë, njeriu nuk duhet të jetë domosdoshmërisht shumë i mençur.

Për fatin e mirë të Kosovës, timonin e bisedimeve Kosovë-Serbi e mori në dorë kancelarja e Gjermansë, Angela Merkel, dhe me smitin e Berlinit i vuri dryrin idesë së Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit.

Çuditërisht, Hashim Thaçi nuk e kuptoi mesazhin e samitit të Berlinit, dhe filloi ta akuzojë qeverinë gjermane për organizim të dobët të samitit. Në fakt, samiti tregoi që Bashkimi Evropian dhe SHBA-të nuk mbështesin ndryshimin e kufijve në Evropë.

Fatmirësisht, emisarë të shumtë nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, sidomos nga Gjermania dhe Franca, erdhë në Prishtinë dhe u konsultuan me të gjithë liderët e partive politike të Kosovës. Përfundimi i bisedimeve ishte shumë i qartë: askush në Kosovë nuk e mbështetë idenë e Presidentit Thaçi!

Tash shtrohet pyetja: A i janë bërë dëme Kosovës me idenë e Presidentit? Përgjigjja është PO. Mënjanë rënia e qeverisë dhe zgjedhjet e parakohëshme, problemi më i madh është reputacioni i humbur i Presidentit të vendit, i cili tash e tutje mund të bëjë vizita vetëm nëpër komunat dhe fshatrat e Kosovës.

Rifat Buzuku