Tregtia midis Bullgarisë dhe Maqedonisë shënon rritje përafërsisht 11% në vitin 2017. Në këtë rast, eksporti nga Bullgaria është rritur për 3%, përcjell Fol.

Si arsye për këtë, analisti ekonomik, Ljubomir Leviçarov e thekson marrëveshjen e nënshkruar për fqinjësi të mirë midis shteteve, transmeton TV Evropa bullgare. Sipas ekspertëve, interesi për udhëtim për biznes në Maqedoni është rritur dyfish në krahasim me vitin e kaluar.

Të dhënat statistikore tregojnë se pjesa më e madhe e mallrave të cilat Bullgaria i eksporton në Maqedoni janë nga fusha e elektroenergjetikës.

Investimet nga Bullgaria në Maqedoni janë kryesisht në sektorin bankar të sigurimit, metalurgjisë, veprimtarisë ushqimore, hulumtimeve gjeologjike, teknologjitë informative-komunikuese dhe hoteleri.

Kryeministrat Zoran Zaev dhe ai i Bullgarisë Bojko Borisov, më 1 gusht 2017 e nënshkruan Marrëveshjen për fqinjësi të mirë, e cila më 23 nëntor 2017 rezultoi me nëntë marrëveshje për bashkëpunim. /Fol/