Kryetarin e RDK-së e shkarkon Kongresi e jo Kuvendi qendror. Kështu thuhet në Statutin e kësaj partie dhe gjithë ata që u ngutën ta lexojnë gabimisht atë, zbulojnë në thelb, jo thjeshtë, tendencën puçiste për shkarkim të parakohshëm të kryetarit Vesel Memedi, por më shumë se kaq: t’i japin një orientim krejt tjetër kësaj force politike, që ka qenë i pamundur me Memedin kryetar.  Në fakt, kujt i inevojitej kjo tronditje e brendshme në një subjekt opozitar mu në kohën kur  energjitë për bashkim dhe bashkëpunim ishin më të mëdha se çfarëdo ambicje puçiste që mund të ketë brenda çdo strukture partiake, veç e veç.

RDK ishte në bashkëveprim opozitar me LR-PDSH dhe që të dyja bashkë kishin formuar Aleancën për Shqiptarët. Ky koalicion opozitar (parazgjedhor)  ishte shembulli më i mirë se si alternativa politike e shqiptarëve të Maqedonisë po ngjizej rreth disa ideve që për bazë kishin ndryshimin dhe vendosjen e një baraspeshe të re politike, që do të ishte në favor të atyre forcave që politikën do ta praktikonin më ndryshe nga partitë e deritanishme shqiptare që kanë qenë në pushtet.

Shkarkimit të parakohshëm të Vesel Memedit nga posti i kryetarit të RDK, nuk i ka parapri kurrfarë debati, për të cilin opinioni publik ka qenë dashur të jetë në dijeni. Nëse ndonjë individ brenda kësaj partie ka patur mospajtime konceptuale me kryetarin Memedi, dhe nëse, siç po thuhet tani, një kohë të gjatë paska patur pakënaqësi brenda këtij subjekti opozitar, kjo në asnjë mënyrë nuk e justifikon rrugën jolegjtime për shkarkimin e tij. Nëse kjo do të bëhej rregull, atëherë në të ardhmen mund të presim që kryetarët  e partive të ndërrohen në çdo muaj, për arsye se ata nuk na qenkan të pranueshëm për gjithë strukturën partiake.

Por, çka fshihet realisht pas këtij sharkimi puçist të Vesel Memedit nga drejtimi i RDK-së? Ka shumë zëra që pretendojnë se veprimet e tilla zakonisht nxiten nga shërbime të ndryshme që, në një mënyrë apo tjetër, duan  të ushtrojnë ndikimin e tyre në ridefinimin e skemave të ardhshme politike. Disa të tjerë mendojnë se Vesel Memedi ka udhëhequr partinë në stil autokratik dhe kjo, sipas tyre,  ka pamundësuar pjesëmarrjen e strukturave më të gjëra udhëheqëse partiake në vendimarrje, përfshi edhe takimet dhe vizitat që ai ka bë brenda dhe jashtë vendit.

Nëse i marrim si të mirëqena të dy supozimet, sërish ngelin të pasqaruara shumë dilema që bashkëshoqërojnë këtë krizë të imponuar në RDK.  Madje,  kryedilema e vetme që pret përgjigje në ditët në vijim është përfshirja eventuale e kryetarit të parë të RDK, Rufi Osmanit, në përgatitjen e këtij puçi dhe mbi të gjitha motivet që kanë mundur ta nxisin atë në këtë ndërmarrje. Askush nuk mund të na bind se një Fadil Zendel do të guxonte t’ia mësyente kësaj aventure puçiste po të mos e kishte përkrahjen (jopublike) të Rufi Osmanit.

Për të qenë gjërat më të qarta, ky i fundit madje kishte qenë vetë ai që kishte paralajmëruar dhe sinjalizuar se çka e ndan atë me kreun e RDK.  Pra, Rufi Osmani asnjëherë nuk u tregua i gatshëm , që përmes Vesel Memedit, ta vazhdojë aty kue kishte lënë,  kauzën e tij politike që ia kishin ndërprerë dhunshëm në zgjedhet e fundit parlamentare dhe çudiërisht atij nuk i kishte bërë përshtypje që ish -partia e tij, megjithatë, kishte treguar sens bashkëpunimi dhe kolacionimi opozitar me LR-PDSH, por i kishte bërë përshtypje mosbashkëpunimi me Lëvizjen Besa, ndonëse Memedi asnjëherë nuk ishte deklaruar publikisht kundër këtij bashkëpunimi.

Nuk do të donim të besojmë që Rufi Osmani, lideri karizmatik , që ishte frymëzuesi dhe promotori i ideve alternative shqiptare në Maqedoni, me aq lehtësi do të rrëshqiste në një frymëzues puçistësh inferior.

Nëse ai do të donte të transferonte ndonjë metaforë të pathënë politike në opinionin publik, këtë ka mundur ta bëjë duke iu rikthyer subjektit që vet e kishte themeluar, e jo të impononte aleanca që as vet deri dje nuk iu ka besuar.

Është për ta mirëkuptuar angazhimin e Rufi Osmanit në zgjerimin e frontit opozitar shqiptar, por nuk na hy në kokë insistimi i tij që ta prish ish-partinë e tij për një zgjerim opozitar që do do të kishte brenda patjetër edhe Lëvizjen Besa, por me një pikëpyetje të madhe a do ta kishte pastaj edhe LR-PDSH-në dhe ndonjë subjekt tjetër opozitar shqiptar.

Është paksa e çuditshme kjo sjellje politike e një njeriu që vet në kurrizin e tij i kishte përjetuar operacionet puçiste, për t’u bërë pastaj, po ai, promotori i bashkimeve të panatyshme përmes përçarjeve dhe imponimit të skemave mentale e kulturore tek shqiptarët që dikur kishin qenë të huaja për filozofinë e tij politike.

Gjithë kjo ndërmarrje për ta përça RDK-në, në fund do ta ketë epilogun të cilin do ta dëshironin më së paku ata të cilët ia nisën kësaj aventure. Fatura e përçarjes, gjithsesi, do t’u shkoj puçistëve bashkë me Rufi Osmanin, kurse përfitimet do t’i ketë pushteti pa konkurrencën serioze opozitare.

Koha do ta vërtetojë nëse ky diversion mbi RDK-në ka qenë i  motivuar për ndryshime pozitive, apo për të pamundësuar bashkimin dhe bashkëpunimin e mëtejm opozitar të shqiptarëve të Maqedonisë.