Ka dështuar marrëveshja mes regjionit planor të Pollogut dhe këshillit protestues të fshatrave që gravitojnë me Rusinon. Edhe pse mbrëmë ishte e paraparë të fillojë bartja e mbeturinave pas mesnate, një gjë të tillë banorët nuk e lejuan, me pretekstin se komunat nuk kanë respektuar marrëveshjen e arritur dhe rrugën nuk e kanë pastruar.

“Kamionët nuk do i lëshojmë sepse ne kishim një marrëveshje dhe ata nuk i janë përmbajt asaj marrëveshje dhe nuk ka shans kamionët të kalojnë ne e kemi lajmëruar edhe në polici, sepse prej pikave që duhej të bëhen nuk është bërë asgjë dhe kamionët nuk do lëshohen deri në plotësimin e marrëveshjes që u bë ditën e martë”.

“Deri sa nuk na e sjellin marrëveshjen ta shohim ne çfarë kanë bë ne do rrimë këtu. Kemi ndenjur dy muaj, do rijmë edhe pesë nëse ka nevojë çdo natë. Ne vetëm muhabet kemi bë, asnjë marrëveshje nuk kemi nënshkruar. Ndërsa kamionët nuk do kalojnë këtu”.

Ekipi i televizionit Alsat, ka ndjekur mbrëmë deri në orët e mëngjesit zhvillimet në Rusino të Gostivarit, me ç’rast ka regjistruar se asnjë kamion i rrethinës së Pollogut nuk ka depërtuar tek deponia.

“Ora në këto momente ka kaluar mesin e natës dhe është diku pas 12 të natës, dhe ekipi i televizionit Alsat, ka dalë në terren për të verifikuar nëse nga 9 komunat e regjionit planor të Pollogut, të cilat morën përsipër që ta zgjerojnë rrugën dhe ta pastrojnë nga mbeturinat. Por, siç e shihni, rruga nuk është zgjeruar dhe nuk është pastruar siç u morën vesh deri në fund, por diku deri pas gjysmës, ndërkohë që rezulton që në shumë vende të jetë kjo rrugë e pa-pastruar nga mbeturinat anash siç edhe mund të shihni prapa meje”.

E ndërkohë, kamionët e mbushur me mbeturina të komuna të Pollogut, kanë mbetur mbrëmë të parkuara në dalje të Gostivarit, duke pritur arritjen e një kompromisi eventual, që do mundësonte zbrazjen e tyre. Por, kjo gjë deri në orët e mëngjesit nuk ndodhi. Autoritetet lokale kanë refuzuar sot që ta komentojnë mos arritjen e marrëveshjes, ndërkohë jo-zyrtarisht Alsat mëson se tentim për arritjen e marrëveshjes do të ketë edhe gjatë ditës së sotme.