Samiti i liderëve të Bashkimit Europian është mbyllur me zgjatjen e sanksioneve për Rusinë edhe për 6 muaj të tjerë. Këto Sanksione u vendosën për shkak të aneksimit të Krimesë. Ndërkohë, liderit e BE-së kanë kritikuar ashpër presidentin rus, Vladimir Putin për bombardimet në Aleppo të Sirisë. 
28 liderët europianë kanë vendosur që të rinovojnë dhe për 6 muaj të tjerë sanksionet ekonomike kundër Rusisë. Kjo masë ndëshkuese është vendosur nga BE pas aneksimit të Krimesë dhe destabilizimit të rajonit Donbass në Ukrainën lindore. Sanksionet godasin sektorin financiar, atë të energjisë dhe atë të mbrojtjes. Sanksionet përfundojnë më Korrik të 2017. Fillimisht BE vendosi sanksione ndaj Kremlinit në vitin 2014.
Duke qëndruar tek Rusia, liderët Europianë kanë kritikuar ashpër Presidentin Vladimir Putin për situatën në Siri, veçanërisht për mbështetjen e tij ndaj Presidentit Bashar al Assad dhe për bombardimet në qytetin Aleppo. Liderët e BE theksuan urgjencën e evakuimit të civilëve në Aleppo. Ndërsa nuk harruan të përmendin edhe nevojën për të shpërndarë ndihma humanitare në qytetin sirian të shkatërruar pothuajse plotësisht nga bombardimet. Liderët kërkuan edhe mbrojtjen e spitaleve në Aleppo dhe furnizimin e tyre me ilaçe. Për sa i përket bombardimeve që kanë shkaktuar një masakër të vërtetë në qytetin sirian, Franca kritikoi me tone të ashpëra Rusinë, por BE nuk i vendosi sanksione të mëtejshme Moskës lidhur me sulmet ajrore në Siri.
Ndërkohë, për marrëveshjen e stabilizim-asocimit me Ukrainën, liderët europianë gjetën dakortësi. Kjo gjë afron Kievin dhe më shumë me Bashkimin Europian dhe e largon atë nga Rusia. Por liderët u dakordësuan që të mos bëjnë Ukrainën një vend kandidat për anëtarësimin në BE. Gjithashtu qytetarëve ukrainas nuk iu dha e drejta për të jetuar dhe punuar në vendet e Bashkimit Europian. Por Kryeministri i Holandës, Mark Rutte nuk ka asnjë garanci që kjo marrëveshje do të mbështetetet nga Parlamenti holandez. Deri më tani Holanda është vendi i vetëm i BE-së që ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen, e cila do të bëhet e pavlefshme pa miratimin e saj. 
Ndër shumë çështje të tjera, liderët diskutuan edhe për zbatimin e marrëveshjes së emigrantëve me Turqinë, daljen e Britanisë së Madhe nga Unioni dhe për sigurinë e brendshme. /abcnews.al