13:00 – Seanca e 61-të e Kuvendit të Maqedonisë në rend dite të së cilës janë ndryshimet kushtetuese që parashihen me marrëveshjen e Prespës, edhe pse u paralajmërua për në ora 12:00, ende nuk ka filluar, transmeton Portalb.mk.

Informacionet thonë se shumica parlamentare ende janë duke bërë përpjekje për të siguruar 80 deputetë që do të votojnë “për” ndryshimet kushtetuese.

Në Kuvendin e Maqedonisë sot është parë i pranishëm edhe deputeti, i cili ditë më parë doli nga burgimi shtëpiak, Sasho Vasilevski.

Në konferencë për media, deputeteja e Lidhjes Social Demokrate të Re, Sanja Mirakovska deklaroi se shumica beson se i ka siguruar 80 deputetët.

Duke komentuar ardhjen e diplomatit amerikan, Metju Palmer, dhe akuzat e Rusisë se është duke u kryer trysni në Maqedoni, Mirakovska ka deklaruar se ato nuk janë trysni, sepse vendimin e japin deputetët.
08:30 – Sot në Kuvendin e Maqedonisë do të mblidhen sërish deputetët për seancën e 61-të e Kuvendit të Maqedonisë ku në rend dite janë ndryshimet kushtetuese që parashihen me marrëveshjen e nënshkruar në Prespë mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë, njofton Portalb.mk.

Pasi në ditët që kaluan u shter debati për to sepse deputetët e VMRO-DPMNE-së hoqën dorë nga fjalimet ndërsa të tjerët nuk e vazhduan diskutimin, kryetari i parlamentit Talat Xhaferi vendosi që sot të mbahet seanca në të cilën pritet dhe votimi për apo kundër marrëveshjes.

Një ditë para votimit, kryeministri Zoran Zaev u shpreh optimist se ka siguruar shumicën e nevojshme prej 80 deputetëve për të votuar në dobi të marrëveshjes. Pas miratimit të kësaj faze, tha ai, bashkërisht me opozitën dhe opinionin publik, nëpërmjet konsenzusit, do të bëhet përpunimi i propozim-amendamenteve.

Koordinatori i Lidhjes Sociale Demokrate (LSDM), Tomisllav Tuntev të enjten edhe njëherë u bëri thirrje deputetëve të votojnë për, ose do të ketë zgjedhje të parakohshme, njofton Portalb.mk.

Deputeti Artan Grubi nga Bashkimi Demokratik për Integrim, të enjten tha se nuk është e nevojshme mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend.

Gjithashtu edhe Zëvendëskryeministri për çështje Evropiane, Bujar Osmani të enjten tha se “pas 17 qershorit dhe 30 shtatorit, nesër është dita D ku do të dihet nëse vendi shkon në zgjedhje ose hapen ndryshimet kushtetuese.”

Nga ana tjetër lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ditë me radhë thotë se deputetët e partisë që ai e udhëheq nuk do të votojnë për. Duke përdorur edhe shkronja të MËDHA, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, iu përgjigj letrës së djeshme të ndihmës sekretarit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euoraziatike, Ves Miçel, në të cilën kërkoi që privatisht dhe publikisht t’u hapet hapësirë deputetëve të VMRO-DPMNE-së për ndryshimet kushtetuese në Kuvend që të deklarohen sipas vullnetit të tyre, njofton Portalb.mk.

E vetmja që publikisht ka thënë se do të votojë për është deputetja e Partisë Socialiste e cila është në koalicion me VMRO-DPMNE-në, Vlladanka Aviroviq.

LEXO: Deputetja e koalicionit të VMRO-DPMNE-së do të votojë për ndryshimet kushtetuese

Sipas propozimit të Maqedonisë, me marrëveshjen e nënshkruar në Prespë mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë, Kushtetuta e Maqedonisë do të pësojë ndryshime në katër nene: Shtesë në emrin aktual të Republikës së Maqedonisë me atë – Republika e Maqedonisë Veriore, ndryshime në preambulën e Kushtetutës, garanci për kufijtë e territorial të Republikës së Maqedonisë dhe kujdes për qytetarët e Maqedonas në diasporë dhe më gjerë.

Ndryshe, seanca e 61-të ka nisur të hënën, e cila u diskutua në opinion për shkak të propozimit të kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev për falje dhe pajtim në Kuvend.

“Vetëm nëpërmjet bisedave gjendet zgjidhje dhe unë jam për dialog. Nuk më shkon ndër mend të ndikoj në punën e prokurorëve dhe gjykatësve, por duhet të falim”, tha Zaev dje në seancën plenare për ndryshimet kushtetuese.

Menjëherë pas deklaratës së Zaevit, arriti lajmi se deputetët e VMRO-DPMNE-së, Sasho Vasilevski dhe Luben Arnaudov janë liruar nga paraburgimi shtëpiak, i cili u ishte caktuar si masë pas akuzës për pjesëmarje në ngjarjet e 27 prillit në Kuvend.