PROTESTO, PROTESTO, PROTESTO

Shqiptarët, ky popull i protestës!

Shqiptarët historikisht kanë dëshmuar se janë popull i rezistencës, i refuzimit të sistemit, nuk e kanë duruar kurrë diktaturën, autoritarizmin. Nuk e kanë duruar Titon, Millosheviqin e lëre më Gruevskin!
Gjithmonë kam qenë i mahnitur nga rezistenca kosovare, nga rezistenca paqesore, gandiane, rugoviane, por edhe nga rezistenca luftarake ndaj sistemit policor dhe ushatarak serb. Shqiptar në ish Jugosllavi do të thoshte njeri i diskriminuar, i përbuzur, por shqiptar do të thoshte edhe rezistent, i fortë si gurri.
Të rrallë janë popujt si shqiptarët që historinë nuk e kanë të kaluar të paqes, por e kanë histori lufte. Jo vetëm luftë frontale, por edhe luftë të përhershme me sistemet, me regjimet, me konjukturat politike dhe ideologjike, me aparatet policore-ushtarake.
I takoj gjeneratës së shqiptarëve që realisht asnjëherë nuk kanë mundur ta ndjejnë të vetin sistemin politik! Sot me një mik e kam diskutuar gjerë e gjatë çështjen e jeniçerizmit!
Shqiptari kurrë nuk është dorëzuar!
Shqiptari gjithmonë ka qenë protestues! Protestues do të thotë të jesh kundërshtues i vendosur për një padrejtësi a për një veprim të paligjshëm; shprehja në mënyrë të prerë e mospajtimit me diçka. Gjithë këto vite shqiptarët nuk kanë pasur një, por shumë padrejtësi! Shumë!
Para 17 majit të vitit të kaluar pata shkruar:

Secili shqiptar me kokën e vetë!

Nëse u duket e keqe diktatura e Gruevskit,
PROTESTONI!
Nëse nuk u duket e keqe diktatura e Gruevskit,
MOS PROTESTONI!

Pati mendime të ndryshme atëbotë! Nuk i heq asnjë presje, sepse më duket shumë legjitime që çdo shqiptar të vendos me kokën e vetë! Në “demokraci” jemi! Natyrisht disa prej tyre tani heshtën, ndërsa në 2015 ishin të zëshëm dhe si me u bë hataja shkruanin, thenin tastatura, e shpërthenin facebookun me mendime të tipit “JO ME ZAEVIN NË PROTESTA”!
Nuk i gjykoj, e as i paragjykoj të gjithë që mendojnë se nuk duhet të protestohet, e as ata që thonë se duhet të protestohet! Por një gjë duhet sqaruar, njësoj si më 17 maj të vitit 2015, ashtu edhe në prill të vitit 2016 protestat ani se në shikim të parë i organizon sektori joqeveritar, në fakt i organizon LSDM-ja, lider i së cilës është po ai Zorani! Zaevi de, që stigmatizohej nga shumëkush! Ose në variantin më optimist i organizon Zaevi me sektorin joqeveritar! Gjithmonë kur kam qenë gazetar aktiv, jam munduar që gjërat t’i them me fjalët e vërteta, pa efuemizma!
Prandaj po them! Protesto, nëse mendon se shqiptari është i burgosur politikisht, i keqtrajtuar nga policia, i diskriminuar ekonomisht, sidomos në buxhet, i lodhur nga korrupsioni dhe nga krimi i organizuar! I rraskapitur dhe i nënçmuar nga “Shkupi 2014”.
Ti që nuk proteston, edhe pse nuk je i pakënaqur mos paragjyko protestuesin, sepse edhe ti e di se ai që proteston ka më shumë arsye, motive për ta bërë atë, se sa ti që imagjinon se je komod!
Me Zaevin apo pa të në protesta, kjo është çështja? Shqiptari është liridashës, e do drejtësinë, jo vetëm për vete, por edhe për fqiun! Prandaj nuk është krim nëse dikush mendon se duhet protestuar në një protestë shumëetnike, shumëfetare! Qytetare në fund të fundit! Njësoj siç nuk është krim që të qëndrohet në pushtet me një parti maqedonase ultranacionaliste gati se 8 vite! Nuk është mëkat, ndërsa se ka qenë veprim i gabuar politik, më së miri sovrani do të dëshmojë me votë! Sovrani-qytetari mund të na përgënjeshtrojë dhe nëse ndodh kjo publikisht zotohem se do të pranoj se prognoza politike nuk ka dalë e saktë.
Një gjë dihet, Zaevin nuk ua merr askush, as juve të opozitës, sepse nëse nesër bëhet mandatori dhe Ju jeni fituesi zgjedhor do të dilni para kamerave duke shtrënguar duart. Nuk ua merr askush Zaevin as Juve shqiptarë të pushtetit! Do i fshini edhe postimet kundër tij, po ju e shihni se Zaevi dhe Ahmeti takohen duke qenë në opozitë. Nlse vjen puna që të hyni në pushtet bashkë, do bëheni partnerë koalicioni. Keni përvojë me Buçkon, Harin, por edhe Brankon. I dimë miqësitë jo vetëm politike me socialdemokratët.
Me Selën dhe Veselin në protesta? Gjithmonë kam menduar se shqiptarët gjithë këto vite kanë arsye kombëtare që të dalin në protesta! E kanë bërë për Monstrën, por më pas jomjafuteshëm! Shqiptari si pjesëtar i etnisë së vet ka shumë arsye për të dalë në protesta, çdo ditë, të shpreh pakënaqësi, revoltë ndaj një pushteti diktatorial, që shqiptarët i quante “indianë” ose siç thoshin në biseda shiptari! Por më keqja është se edhe i trajtonte si të tillë! Prandaj kjo protestë më duket e arsyeshme në dimensionin kombëtar, ndërsa Sela duhet të ndalojë valimin e flamujve partiakë! Protesta duhet të jetë kombëtare, jo partiake, jo parciale.
Për fund, shqiptari ka shpirt demokratik, liridashës, pra edhe revolucionar! Protesto në rrugë demokratike, boll protestove kafeneve e çajtoreve, zyrave e para sporteleve të këtij sistemi të kalbur administrativ, politik e gjyqësor, i korruptuar deri në palcë.
Reflekto, kritiko, PROTESTO!

P.S “Shtabi i milionerave” i Expressit zbuloi një gjë; Sa më i lartë ishte flamuri para shtëpive të “çlirimtarëve”-hajdutë, aq më e madhe ishte pasuria e tyre e majme.

@Fol.mk