Drejtori i Departamentit për Drejtësisë në Lëvizjen BESA, Blerim Sejdiu i pyetur lidhur me zhvillimin e negociatave politike në Maqedoni dhe për çështjen e procesit të pastrimit të listës zgjedhore, ka thënë se Lëvizja BESA është duke ndjekur me vëmendje çdo hap të vendimeve të Komisionit Qendror Zgjedhor në Republikën e Maqedonisë, dhe se kjo Lëvizje kërkon nga ky institucion që të jetë më transparent ndaj qytetarëve të R.së Maqedonisë e sidomos ndaj partive politike të cilët nuk janë pjesë e bisedimeve sipas Marrëveshjes së Përzhinës.

“Lëvizja BESA është duke e përcjell me kujdes të madh procesin e pastrimit të listës zgjedhore dhe prandaj kërkon qasje më transparente edhe për marrëveshjen e listës zgjedhore, për të cilën duhet të dakordohen 4 partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës. Aq më tepër, kur kihet parasysh se në shënjestër për t’u fshirë nga listat zgjedhore deri më tani janë identifikuar afër 200.000 votues, ndërsa shumica e tyre janë shqiptarë, sidomos mërgimtarë”, ka deklaruar Sejdiu për portalin Sakte.net

Ai ka thënë se përgjegjës për fshirjen eventuale të mërgimtarëve nga lista zgjedhore janë dy partitë shqiptare që janë të përfshira në këto negociata, pasi që në fund edhe ata duhet ta japin pëlqimin e listës përfundimtare.

“Kjo është arsyeja se pse bëhet përpjekje që në mënyrë tinëzare, duke mos e njoftuar askënd, t’i fshijnë nga lista zgjedhore mërgimtarët shqiptarë.

Lëvizja BESA vlerëson se prej listës zgjedhore duhet të fshihen vetëm votuesit fiktivë dhe ata që janë keqpërdorur deri më tani nga dy partitë në pushtet VMRO dhe BDI”, ka thënë drejtori i Departamentit të Drejtësisë në Lëvizjen BESA, Blerim Sejdiu.