Ministria e Punëve të Brendshme sot ka ngritur kallëzim penal kundër kryetarit të komunës së Strugës, Zijadin Sela nën dyshimin se kanë bërë keqpërdorim të detyrës zyrtare. Sipas kallëzimit penal, i denoncuari, në cilësinë e kryetarit të komunës së Strugës në vitin 2014 ka lëshuar parking për automjete motorike në afërsi të ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes në Strugë, vend që me vendim është shënuar si lokacion nën mbrojtjen e shtetit. Gjithashtu  z. Sela akuzohet edhe për legalizim joligjor të  të një  objekti që nuk kanë mundur të jetë lëndë e legalizimit, ngase me vendim të Ministrisë së Kulturës qenka  shpallur si objekt i mbrojtur dhe në pronësi të Maqedonisë!

Akuzat e këtilla i ka demantuar Ziadin Sela, i cili ka deklaruar se kallëzimet ndaj tij, janë qesharake dhe se Ministria e Brendshme do të përballet me padi nga ana e tij për prishje të imazhit. Sela thotë se ka pasur vendim nga këshilli i Komunës dhe MPB duhet ta dijë që ai si kryetar menaxhon me vendimet të cilat i sjellë Këshilli.

 “Ziadin Sela njihet në opinion si njeri i cili është anti parking vend e pa vend, një njeri i cili liron dhe nuk uzurpon hapësira publike. Ziadin Sela është njeri i cili për ta penguar në qëllimet e tij për të respektuar ligjin dhe vetëm ligjin është ngritur një parlament i tërë i cili votoi ligj në mënyrë që ti mbrojë mafian urbane dhe ato të cilët uzurpojnëm prona publike. Është qesharake kur unë akuzohem që në dëm të shtetit dhe në të mirë të komunës paskam bërë legalizim objekti. Ajo është shkollë të cilën kam marrë leje dhe shkollat menaxhohen nga komuna”, ka deklaruar për Tv Shenja, Zijadin Sela.

Kryetari i Komunës Ziadin Sela, për TV Shenja ka zbuluar se para një jave ka qenë i kërcënuar me jetë, dhe edhe pse e ka paraqitur rastin, MPB nuk e ka parë të arsyeshme të reagojë.

 “Për të parë se sa tendencioz janë këta zotërinj, unë nuk e di si kanë pasur guximin kaq shpejtë t’i informojnë mediumet, nga ana tjetër nuk i kanë informuar mediumet kur para një jave Ziadin Sela është kërcënuar me jetë, me një letër e cila i ka ardhur në shtëpi, të cilën tani po e them për herë të parë publikisht, dhe askënd nuk e kanë informuar për atë se çfarë është duke ndodhur a e kanë obligim ligjor që ta bëjnë të njëjtën”, tha më tej Sela.

Sela ka thënë se është e qartë që kallëzimet dhe kërcënimet ndaj tij bëhen me qëllim që atij t’ia ndalin hapin,por ka shtuar se nuk mund ta bëjnë pjesë të treshes e cila i ka uzurpuar institucionet dhe i kriminalizon ato për ditë.\shenja