Kryetari i Lëvizjes për Reforma – PDSH, Ziadin Sela deklaroi se tërheqja e ministrave të BDI-së nga Qeveria është një manovrim i radhës i Ali Ahmetit për të manipuluar me opinionin dhe për të krijuar terren për zgjedhjet e radhës, përmes skenarëve të deritanishme të blerjes së votave dhe shantazheve të ndryshme.

“Kjo është vetëm një manovrim që e bën kjo Parti, për të manipuluar me opinjonin, për ti zbehur ngjarjet e deritanishme, dhe për të bërë terren për zgjedhjet e mundshme, nëse ato do të mbahen shpejt, dhe keqpërdorimin e parave që kan marë nga qytetarët, për kampanjën eventuale të pistë, që mund ta bëj në terren me qytetarët. Është një lojë speciale për ti manipuluar devijimet e saja, kaq kohë që ishte në pushtet”, theksoi Sela në një tubim mbrëmë me qytetarët e Manastirit.

Ai ka komentuar edhe tendosjet e fundit dhe përçarjen në RDK.

“Flitet siç dëgjojmë, se ka mosmarrveshje midis tyre, po kjo nuk është çështja e jonë. Nuk do përzihemi ne në çështjet e brendëshme në RDK, sepse ata kan organet e veta, por është mirë, për shkak të situatës kritike politike, të uleshin në tavolinë dhe ti zgjidhin këto probleme. Për ne, janë të mirseardhur, kushdo që të zgjidheshte në krye të RDK”, theksoi Sela.

Kreu i LR-PDSH theksoi se misioni i tij është unifikues dhe ka si qëllim që të bashkojë shqiptarët e Manastirit, përfshirë edhe ata të lënë pas dore siç janë shqiptarët ortodoks.

“Kristo Qirijazi, njëri nga pasardhësit e familjes Rilindase Qirijazi do të ishte kandidati i radhës për këshillin e qytetit, i cili dhe mund ti bashkonte shqiptarët këtu,  si dhe inkorporimin e tij në Kryesinë Qendrore të kësaj Partie”, theksoi kryetari i LR-PDSH.

mansatir1manastir