Serbia dënon tetë ish-eprorë të UÇK-së

Një gjykatë serbe ka dënuar në mungesë tetë ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ngritje prite dhe vrasje të trupave të Ushtrisë Jugosllave në Koshare, Kosovë, në shtator të vitit 1998. 

Gjykata e lartë në e Nishit të mërkurën shpalli fajtorë tetë ish-luftëtarët e UÇK-së për akte terrorizmi dhe urdhëroi që secili prej tyre të dënohej me 15 dhjet burg për përfshirjen e tyre në dy sulmet ndaj trupave të Ushtrisë Jugosllave në Koshare të njëjtën ditë në vitin 1998.

“Ata u dënuan të gjithë për të dyja ngjarjet e ndodhur në shtator të vitit 1998. Gjykata vendose që ata ishin fajtorë falë videove. Pra, ato ishin prova kyçe,” tha për BIRN të mërkurën Goran Djordjeviç, një avokat që përfaqëson familjen e një prej ushtarëve të vrarë.

Videoja tregoi pritën e UÇK-së dhe të shtënat ndaj ushtarëve të Ushtrisë Jugosllave, gjashtë prej të cilëve vdiqën.

Ish-ushtarët e UÇK-së – Shiqeri Maloku, Xhafer Gashi, Demush Gacaferi, Demë Maloku, Agron Isufi, Anton Çuni, Rabit Alija dhe Rrustem Berisha u dënuan në mungesë. Ata i kanë mohuar që veprimet e tyre ditën e përplasjes të kenë qenë kriminale.

Aktakuza pretendoi se në fillim ata përgatitën një pritë për trupat kufitare të Ushtrisë Jugosllave duke vendosur mina anti-tank.

Një tank i Ushtrisë Jugosllave shpërtheu minën, duke vrarë një ushtar dhe duke plagosur katër të tjerë. Pastaj luftëtarët e UÇK-së hapën zjarr ndaj një helikopteri të ushtrisë që mbërriti aty për të marrë viktimat.

Prokuroria pretendon se kjo u pasua nga një sulm i dytë menjëherë pas kësaj, në afërsi të pikës kufitare të Koshares, kur të akuzuarit ngritën një tjetër pritë dhe hapën zjarr ndaj një automjeti të Ushtrisë Jugosllave, duke hedhur granata dore dhe duke vrarë pesë ushtarë dhe duke plagosur dy të tjerë.

Sipas akuzës, luftëtarët e UÇK-së – të cilët dyshohet se kanë sulmuar nga territori shqiptar – më pas i grabitën ushtarët dhe vunë nën shënjestër një tjetër helikopter që erdhi të evakuonte të plagosurit.

“E vërteta është se 15 vjet pas krimeve, ky incident ka epilogun e tij në gjykatë dhe ky është një lajm i rëndësishëm për të gjithë, sidomos për familjet e atyre që u vranë,” tha Djordjeviç./birn/