Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se pas acarimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Maqedonisë mund të fshihen interesa gjeopolitike.

Ata besojnë se ftohja e marrëdhënieve diplomatike vjen në një kohë kur Maqedonia po bën hapa drejt integrimit në strukturat euroatlantike si dhe po afrohet me Bullgarinë dhe Shqipërinë përmes nënshkrimit të marrëveshjeve për bashkëpunim.

Blerim Reka, ish-ambasador i Maqedonisë në Bruksel, njëherësh dhe ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se zhvillmi i fundit diplomatik mes Serbisë dhe Maqedonisë dëshmon për agresivitetin e Beogradit ndaj politikës së re që po zhvillon Qeveria e Shkupit.

Sipas tij, Serbia e ka konsideruar deri vonë Maqedoninë si koloni të saj dhe këtë më së miri e dëshmuan dhe ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, kur në mesin e protestuesve të dhunshëm u gjend dhe një pjesëtar i Ambasadës serbe.

“Kthesa euroatlantike e Qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë dhe ndërprerja prej një dekade të varësisë serbo-ruse, i tregoi qartë Beogradit se më nuk mund të luajë rolin e metropolës-koloniale në Shkup”.

“Mendoj se arsyeja kryesore është kthesa strategjike që bën Maqedonia në raport me integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe kjo është si të themi, një alarm i kuq, jo vetëm për Beogradin, por edhe për Moskën të cilat nuk mund të llogarisin më sikurse këto dhjetë vitet e fundit, në një Maqedoni e cila do t`ia bllokojë vetes anëtarësimin në NATO”, ka theksuar Reka.

Nga ana tjetër Denko Malevski, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë ka thënë se në këtë tensionim raportesh sheh një luftë mes forcave më të mëdha për të shtrirë influencën gjeopolitike, veçanërisht për faktin se Maqedonia kufizohet me Serbinë e cila ka marrëdhënie të afërta me Moskën.

“Afër kufirit tonë verior është dhe një qendër trajnuese ruse, ndërkohë që shumë shpejtë presim që NATO të shtrijë kufijtë e saj duke përcaktuar Maqedoninë si vijë e shtrirjes në Ballkanin Perëndimor”.

Sipas tij, Serbia ndjehet e shqetësuar nga relaksimi i marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Bullgarisë si dhe relacioneve gjithnjë më të mira që ndërton Maqedonia me Shqipërinë duke u shkëputur kështu nga influenca serbe.

“Serbia dhe Greqia duan të dinë në çfarë përmasash do të shtrihet influenca bullgare në Maqedoni. Këtyre dy vendeve u konvenon një shtet i vogël i cili nuk do ta pengojë komunikimin mes tyre, mendoj Serbisë dhe Greqisë nuk u konvenon të marrë shtirje influenca bullgare ose ajo shqiptare”, ka thënë Malevski.