Autoritetet turke arrestuan mëngjesin e së premtes rreth 50 persona të cilët akuzohen se kanë lidhje me organizimin e grushtit të shtetit të dështuar në verën e vitit 2016. Operacioni i gjerë i policisë u bë në Bursa, ndërsa lajmi është raportuar fillimisht nga agjencia turke e lajmeve Anadoll.
Operacioni i policisë përfshiu gjashtë krahina të ndryshme ndërkohë që janë qindra urdhër arrestet e lëshuara për të tjerë të dyshuar. Dhjetëra personat e përfunduar në pranga akuzohen gjithashtu se kanë lidhje dhe me rrjetin e Fethullah Gylenit, të cilin Ankaraja e akuzon si porositës dhe planifikues të grushtit të shtetit.
E përditshmja turke “Haberturk” raporton se të arrestuarit janë ish zyrtarë institucionesh në Bursë, dhe akuzohen se kanë përdorur një aplikim të koduar e-mail-i, Bylock, i cili sipas autoriteteve turke është përdorur për të komunikuar gjatë organizimit të grushtit të shtetit.
Që pas dështimit të grushtit të shtetit, më shumë se 47 000 njerëz, duke përfshirë edhe rradhët e policisë, gjykatës dhe mësues, u arrestuan dhe më shumë se 100.000 nënpunës zyrtarë janë hequr nga puna. Këto masa të qeverisë turke kanë shkaktuar reagime të shumta të organizatave jo fitmiprurëse dhe vendeve evropiane të cilat denoncojnë shtypjen në të gjitha drejtimet, por veçanërisht ndaj mediave pro-kurde dhe atyre kritike. Ndërsa nga ana tjetër Autoritetet turke këmbëngulin se këto spastrime janë të nevojshme për të pastruar institucionet në vend nga elementët përcarës.