Superliga shqiptare do të nisë sezonin e ri në 9 shtator. Ky ishte vendimi I Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Kombëtarja shtyn përsëri Superligën.

Ndeshjet eleminatore të fillimit të shtatorit, saktësisht në datat 2 e 5 ndaj Lihtenshtajnit e Maqedonisë, bënë që Federata Shqiptare e Futbollit të mos e fillonte dot kampionatin në gusht.
Komiteti Ekzekutiv vendosi në mbledhjen e tij të fundit, që data e fillimit të sezonit të ri të Kategorisë Superiore të jetë 9 shtatori.
Rrjedhimisht, ashtu si vjet, do të ketë ngjeshje të ndeshjeve dhe javë që do të luhen pranë njëra-tjetrës.
Me interes edhe Kategoria e Parë, ku këtë edicion do të luajë edhe Tirana.
Turneu inferior nis në 16 shtator, I ndarë në dy grupe, ndërsa skuadra kryeqytetase do të jetë në ndarjen e Jugut.
Komiteti Ekzekutiv vendosi edhe për numrin e të huajve në Superligë dhe të pezullimit me kartonët e verdhë.
Skuadrat e Superiores do të kenë mundësi, ashtu si më parë, të kenë 4 lojtarë të huaj, ndonëse kishte kërkesa për rritjen e këtij numri.
Futbollistët, ndërkaq, do të jenë më pak të kërcënuar për t’u pezulluar.
Më parë, dënimi vinte pas 3 të verdhëve, ndërsa tani do të duhen 4 kartona.