Deputeti i BDI-së, Branko Manajllovski, sot në Kuvendin e Maqedonisë ngriti zërin për të drejtat e komunitetit homoseksual. Ai tha se atyre duhet t’u njihen të gjitha të drejtat, ndërsa për herë të parë edhe zyrtarisht deputeti i BDI-së, kërkoi që të zyrtarizohen edhe martesat mes gjinisë së njëjtë.

“Askush këtu nuk foli për të drejtat e homoseksualëve, një segment i madh, njerëz të shkëlqyeshëm që kontribojnë për shtetin, punojnë, ndërsa tek ne kjo është baukë. Unë nuk mund të kuptoj se ne heteroseksualët jemi të robëruar në një mendim se duhet të kemi vetëm burrë, grua dhe fëmijë dhe kjo është diskutabile, mund të diskutojmë këtë pozicion në shumë mënyra. Por, duhet t’u jepen të gjitha të drejtat homoseksualëve në këtë Republikë. Të gjitha, madje edhe e drejta për martesë”, tha deputeti Manajllovski.

Duke ngritur zërin kundër diskriminimit që sipas tij i bëhet komunitetit homoseksual në vend, Manajllovski me plot emocion kujtoi edhe një rast të një çifti homoseksual që kishte takuar në SHBA.

“Ndoshta kjo që e them se ka vendin këtu, por do të lejoni t’i them dy tre fjalë. Kur isha para 48 viteve ndodhi një rast në Amerikë. Dy të rinj homoseksualë mbaheshin përdore dhe shëtitnin në park dhe një grup njerëzish i sulmuan. I sulmuan se nuk ishte dashur ashtu të veprojnë. Ishte në ballinë të gazetave dhe në lajme me muaj se nuk ishte e drejtë dhe i dënuan në burg të përjetshëm ata që i sulmuan. Unë u pajtova me këtë, kështu duhet të jetë”, ka thënë deputeti nga radhët e BDI-së.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Besa, Afrim Gashi, reagoi ashpër ndaj fjalimit të deputetit të BDI-së, duke thënë se për Lëvizjen BESA dhe për shqiptarët në Maqedoni nuk janë të pranueshme asnjë lloj tjetër vlere përveç familjes tradicionale.

“Protestoj dhe do të kundërshtoj gjithmonë kur në Maqedoni do të proklamohet ndonjë vlerë tjetër përveç vlerave tona. Unë jam i bindur që në Maqedoni të gjitha komunitetet në shtëpitë e tyre proklamojnë dhe afirmojnë vlera tradicionale që i kemi pas si familje, kur dihet se çfarë paraqet si familje”, tha deputeti Afrim Gashi, raporton TV Shenja.

Në fund të diskutimit të tij, deputeti i BDI-së, Branko Manajllovski porositi edhe mediat që të mos i shkurtojnë asnjë fjalë dhe gjithë kërkesën e tij ta publikojnë në opinion. Ai u zotua se këtë kauzë nuk do ta lë me kaq por do ta ngritë edhe në instanca ndërkombëtare.

“Edhe ju gazetarët që jeni këtu dhe kushdoqoftë, mos guxoni ta fshehni asnjë fjalë nga ky fjalim. Le të dëgjojnë të gjithë, le të kuptohet se e gjithë bota këtë e arsyeton dhe ne duhet ta arsyetojmë. Mjaft është më me këto punë, është padrejtësi”.

Këto fjalë Manajllovski i tha në Komisionin për Sistem Politik dhe Marëdhënie Ndërmjet Komuniteteve, ku në rend dite ishin aktet dhe raporti vjetor i Avokatit të Popullit. /Telegrafi/