Prokurorët e Shteteve të Bashkuara e kanë akuzuar personin Esteban Santiago, 26 vjeçar, për kryerje të sulmit vdekjeprurës në aeroportin e Floridës.

Ky i dyshuar, gjatë sulmit të pardjeshëm në Aeroportin Ndërkombëtar Hollivud, i ka vrarë pesë vetë dhe plagosur gjashtë të tjerë.

Prokurorët thanë mbrëmë se i dyshuari është akuzuar për krime me armë zjarri dhe për kryerje të aktit të dhunës në një aeroport ndërkombëtar, që për pasojë kishte vrasje. Për këto akuza i dyshuari mund të dënohet edhe me vdekje.

Hetuesit po shqyrtojnë se nëse sëmundja mendore ka luajtur rol në të shtëna.

I vëllai i të dyshuarit Santiago ka thënë se ai kishte marrë trajtim psikik.

Agjencia FBI tha se Esteban Santiago, veteran lufte në Irak, kishte udhëtuar prej Alaskës në aeroportin Hollivud, që në mënyrë specifike ta kryente sulmin.

Policia në Alaskë, vitin e kaluar, e kishte marrë një armë mga ky person, por ia kishte kthyer në muajin dhjetor, pas një vlerësimi mjekësor se ai nuk ishte i sëmurë mentalisht.

FBI, po ashtu, tha se terrorizmi nuk është përjashtuar si motiv i mundshëm për të shtëna.

Pritet që gjatë ditës së nesërme, Santiago do të paraqitet për të parën herë në gjykatë.