Në një konferencë ndërkombëtare të gjykatësve në Ohër, përfaqësues të ambasadës amerikane apeluan te gjykatësit në vend, të gjykojnë pa presione dhe ndikime politike, sepse disa raporte e tregojnë të kundërtën. Nga Ambasada shpresojnë se kjo situatë të fillojë të ndryshojë.

“Kohët e fundit kam marrë pjesë në një konferencë, ku ka folur një ekspert i GREKO-s. Gjatë udhëtimeve të mëparshme në Maqedoninë e Veriut ka dëshmuar vetë-censurim nga gjyqtarët. Megjithëse nuk gjetën dëshmi se kishte ryshfet, se dikush ka raportuar, se ka pasur korrupsion në raste të caktuara, megjithatë kanë vërejtur situata në të cilat gjykatësit duket se kanë gjykuar në një mënyrë të caktuar, mbase të përafrohen me agjendën politike ose partinë në pushtet, duke pritur një avancim në karrierë ose të shmangin problemet në karrierën e tyre”, tha Diana Palekvin, Zyrtare Politike në Ambasadën Amerikane.

Kryetari i Shoqatës së gjykatësve, Xhemali Saiti thotë se jo çdoherë gjykatësit denoncojnë raste të ndikimit ndaj tyre.

“Krahas ndikimeve, më shumë të rrezikshme janë sjelljet klienteliste të gjykatësve. Nëse ne pozicionohemi me integritet, me vendime konkrete të mira, të bazuara në ligje, përpjekjet e tyre për ndikim do të zvogëlohen”, u shpreh Xhemali Saiti- kryetar i Shoqatës së gjykatësve.

Gjykatësi Lazar Nanev, ka folur për lëndët e PSP-së, duke shtuar se disa prej tyre e kanë pasur patjetër të fillojnë prej në fillim.

“Çdo lëndë patjetër të ketë vendim gjyqësor, pa marrë parasysh a është pozitive apo negative, lënda duhet të ketë vendim”, deklaroi Lazar Nanev- gjykatës.

Ndryshe, tema e konferencës në Ohër ishte “Pengimi i drejtësisë si kërcënim për pavarësi gjyqësore dhe transparencë”./Alsat