Nga: Abdylmexhit Saliu,Kryetar i  Shoqatës së Botuesve Shqiptarë

PËRKRAHJE

Për kandidimin e Azam Dautit për kryetar të Komunës së Çairitnë Zgjedhjet Lokale 2017 (15 tetor)

Të nderuara media,

Duke çmuar lartë misionin Tuaj, që drejtë, saktë dhe me kohë të informoni opinionin për ndodhitë në vend dhe në botë, e bëjmë këtë Përkrahje. Përmes mediumit Tuaj, e njoftojmë opinionin, që SHBSH pranoi dhe analizoi Propozim Ofertën e Azam Dautit, drejtuar OJQ-ve dhe Partive politike garuese në Çair, duke përjashtuar vetëm lidershipin aktual të VMRO-DPMNE-së. Gjithashtu, i kushtuam vëmendje të posaçme edhe Propozim idesë së tij për ndërtimin e Çairit, të titulluar “Çairi: Shkupi i Vjetër – Shkupi i Ri”, dhe si përfundim i yni sollëm këtë VENDIM:

Shoqata e Botuesve Shqiptarë, me seli në Shkup, plotësisht e mbështetë dhe do të punojë në favor të Kandidatit për kryetar të Çairit, Azam Dautit, me këtë

ARSYETIM:

Vetë oferta e tij drejtuar të gjitha OJQ-ve dhe partive garuese në Çair, përveç kryesisë aktuale të VMRO-së, dëshmon karakterin gjithëpërfshirës që tenton të arrijë kandidati për kryetar komune. Duke njohur aktivitetin e tij në SHBSH, nuk dyshojmë fare se këto pretendime të tij, ai do t’i bëjë realitet, sepse aftësia e tij komunikative, e hapur, e sinqertë, profesionale dhe e drejtë, do të bëjë që shumica e qytetarëve të Çairit ta mbështesin projektin e tij ndërtimor “Çairi: Shkupi i Vjetër – Shkupi i Ri”. Megjithatë, për të lehtësuar dhe jo vështirësuar këtë ide ndërtimore të tij, do të ishte pozitive që të gjitha partitë politike dhe OJQ-të që veprojnë në Komunën e Çairit ta mbështesin idenë e tij ndërtimore, që Çairin ta bëjmë nga një komunë me lagje ndër më të shëmtuarat në qytet, në pjesën më të bukur të qytetit, gjë e cila edhe i takon. Në këtë kontekst, edhe SHBSH-ja e arsyeton mbështetjen e parezervë që ia japim Azam Dautit, si kandidat për kryetar i të gjithëve. Prandaj, sa më e fuqishme të jetë kjo mbështetje, aq më mirë do të jetë për qytetarët e Çairit, dhe po aq më lehtë do të realizohet ideja ndërtimore, për ta bërë Çairin vendin më të bukur në qytet.

Me këtë rast, i ftojmë edhe OJQ-të, edhe partitë politike garuese në Çair, të gjithë bashkërisht ta mbështesim dhe ta përkahim këtë kandidaturë.