Agjencia e Lajmeve Flaka mëson që mbrëmë në mbledhjen e kryesisë së degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostivar, untanimisht u morr vendimi që kryetar i Shtabit Zgjedhor për zgjedhjet lokale të 15 tetorit në Gostivar, të emërohet nënkryetari i degës, Bashkim Hasani. 

I kontaktuar nga Flaka, Hasani konfirmoi informacionin duke shtuar që: “Brenda ditës do të lëshohet komunikatë zyrtare për media ku dhe do të jepen detajet nga mbledhja”.

Hasani aktualisht është shef i kabinetit të kryetarit të Komunës, ndërkohë që ka qenë drejtor i Qendrës për Kulturë në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2013. Njihet si sportist i dalluar i mundjes dhe mësimdhënës i edukatës fizike.

Po ashtu, në mbledhje është konfirmuar rikandidimi i kryetarit aktual të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta për një mandat të ri për kryetar komune.

Po ashtu, Flaka mëson që kryesia e degës së BDI-së në Gostvar, vendosi të formon komisionin prej shtatë anëtarëve që do të merret me përpilimin e listës me kandidatët e mundshëm për këshilltar komunal. Këshillet Vendore kanë propozuar 60 kandidatë dhe tani do të duhet të selektohet lista me 31 kandidatë potencial.