Ekziston konsensus në raport të asaj nëse duhet të negociojmë, nëse duhet të pranojmë ndonjë lloj të kompromisit, sepse edhe qeveria konservatore dhe socialdemokrate në momente të caktuara kanë pranuar kompromise të caktuara, thotë ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska për televizionin grek Skaj.

Duke folur për emisionin “Istories”, Shekerinska sqaron se Qeveritë e Maqedonisë në të kaluarën kanë thënë “po” për kompromis, si për shembull emri “Republika e Maqedonisë-Shkupi”, ndërsa sipas kësaj,  ajo shprehu bindje se te ne ekziston  konsensus në raport të nevojës për zgjidhje.

“Fakti se negociojmë ndonjë lloj të emrit të përbërë me ndonjë lloj të mbiemrave ose shtesave, tregon se ekzistojnë dyshime, emocione, por edhe vullnet të shkojmë përpara”, thotë Shekerinska, ashtu siç publikon TV Skaj.

Ministrja e Mbrojtjes, konsideron se në 25 vitet e fundit kanë ekzistuar mundësi më të mira për zgjidhje, por gjithmonë diçka ka munguar.

“Për tango nevojiten dy dhe tërësisht e kuptoj këtë. Po ashtu, nevojitet përkushtim i vërtetë edhe nga të dy palët dhe gjithashtu, pak guxim, që punët të shkojnë përpara. Me të vërtetë besoj se kemi histori të mundësive të humbura dhe mendoj se duhet ta shfrytëzojmë këtë përvojë që të tregojmë ku duam të jenë dy vendet tona për 25 vjet”, sqaron ministrja e Mbrojtjes.

Në emisionin e njëjtë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti thotë se qeveria e Maqedonisë është reformuese dhe beson se “në kuadër të këtyre reformave përfundimisht do të zgjidhet problemi 25-vjeçar mes Shkupit dhe Athinës”.

“Ne jemi vend pa emër, kemi një emër të përkohshëm, IRJM. Në praktikë po tentojmë përfundimisht të kemi një emër normal me negociatat që po zhvillohen”, thotë Ahmeti, siç kumtoi TV Skaj.

Lidhur me atë nëse BDI do të mbështesë, nëse nevojiten edhe ndryshime kushtetuese, kryetari i partisë thotë se ata janë të gatshëm ta mbështesin procesin deri në zgjidhjen përfundimtare.

“Gjithsesi, ne e mbështesim përparimin. Do të jetë arritje e madhe, nëse përfundon me sukses ky kapitull. Do të na lehtësojë shumë, nga diçka që me vite po na rëndon. Ne jemi të gatshëm. Edhe në të kaluarën kemi qenë të gatshëm për ta mbështetur procesin deri në zgjidhjen përfundimtare, sepse na intereson shumë integrimi i vendit në NATO dhe BE”, thotë Ahmeti, sipas televizionit grek.

Episodi i mbrëmshëm i emisionit “Istories” iu kushtua bisedimeve për emrin, ndërsa gazetari përmes reportazhit nga Shkupi, i transmeton pozicionet edhe të politikanëve të Maqedonisë, por edhe qëndrimet e të rinjve nga Maqedonia lidhur me kontestin mes dy vendeve fqinje.

Gazetari, bën edhe retrospektivë të ngjarjeve më të rëndësishme në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Maqedonisë dhe bisedimeve për emrin nga vitet e 90-ta deri më sot. /Fol/