“Nuk duhet të kërkojmë marrëveshje të re, por duhet ta realizojmë marrëveshjen ekzistuese. Nuk ka kohë për të humbur. Qëllimi ynë është që të mbarojmë dhe jo të vonojmë. Me rëndësi është të ketë zgjedhje korrekte dhe demokratike me media të reformuara dhe me listë të pastruar zgjedhore. D.m.th., të funksionojnë elementet e Marrëveshjes së Përzhinës”, shprehet nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska, për “Vërtetëmatësin”.

Departament Special në gjykata për rastet që janë nën hetim nga Prokuroria Speciale Publike (PSP), ka kërkuar partia opozitare LSDM, konfirmon Sheqerinska. Ajo, megjithatë thotë se marrëveshje përfundimtare mes liderëve të katër partive më të mëdha në Maqedoni, VMRO – DPMNE, BDI, dhe PDSH ende është larg realizimit.

“Është e vërtetë se kemi kërkuar Departament Special për rastet që dalin nga puna e PSP-së. Vetëm kështu mundet që të del drejtësia në shesh në këtë gjyqësor të korruptuar”, thotë Sheqerinska.

Thuajse një vjet pas Marrëveshjes së Përzhinës (2 korrik dhe 15 qershor të vitit 2015), fshehtë, dhe pa shumë informata zyrtare, në të njëjtin vend, ashtu sikur vjet, po mbahen bisedime të reja. Deri më tani, ata janë bilaterale, me përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së në Maqedoni, Xhes Bejli dhe Aivo Orav, dhe me takime të shkurtra të grupeve punuese të formuara nga partitë politike.