Ekipet e shpëtimit po kërkojnë dëshpërimisht 30 persona të mbetur nën rrënojat e një ndërtese të shembur në orët e para të ditës në kryeqendrën financiare të Indisë, Mumbai.

Godina 5-katëshe besohet të ishte mbi 100-vjeçare. Ngjarja ndodhi në lagjen tejet të populluar të këtij qyteti, Bhendi Bazaar, ku mbërritën me urgjencë autoambulanca, skuadra zjarrfikëse, ekipe të ndërhyrjes së shpejtë dhe forca policore.

Mumbai sapo ka nisur këto ditë të marrë veten nga shira të rrëmbyer dhe një valë përmbytjesh. Incidentet e ndërtesave nuk janë diçka e re për të, sidomos gjatë stinës së musoneve.

Standardet e dobëta të ndërtimit dhe strukturat e vjetra e jo të mirëmbajtura janë bërë shpeshherë shkas për episode të ngjashme. Çdo vit, me dhjetëra vetë vdesin në mbarë Indinë nga shembja e ndërtesave e rasti më i fundit ishte në korrik, kur 17 vetë humbën jetën nga rrëzimi i një godine 4-katëshe në një tjetër lagje të Mumbait, Ghatkopar.