SHENGEN TË HËNËN NË TAVOLINËN E KE

Nuk do të ketë pezullim të Shengenit dhe as diskutim mbi këtë pikë në tavolinën e Komisionit Evropian gjatë takimit të së hënës.

Konfirmimi vjen nga zëdhënësja e Bashkimit Europian Natasha Bertaud.

Por çështja e të ardhmes së Shengenit do të diskutohet në Amsterdam të hënën, në takimin e Ministrave të Brendshëm evropianë.

Sipas burimeve evropiane, në takim do të diskutohet mundësia e zgjatjes së kontrolleve kufitare përtej muajit maj të këtij viti, parashikuar në nenin 26 të kodit Shengen.

Por procedura për riaktivizimin e nenit 26, ose thënë ndryshe të kontrollit kufitar qoftë edhe përkohësisht, kërkon kohë dhe dy hapa të rëndësishëm.

I pari është vlerësimi i gjendjes së kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian, i cili aktualisht po zhvillohet në Greqi.

Nëse në hapin e parë rezultojnë mangësi, mund të aktivizohet hapi i dytë, i parashikuar në nenin 19 të kodit Shengen.

Sipas këtij neni, secilit vend i kërkohet të përballet vetë me problemet dhe brenda tre muajve duhet të paraqesë modalitetet.

Në qoftë se pas tre muajsh, vendi në fjalë nuk do të këtë përmbushur kërkesat e Komisionit Evropian, sipas nenit 26, mund t’i propozojë Këshillit rifutjen e kontrolleve të brendshme për një apo më shumë shtete dhe për një periudhë maksimale prej dy vjetësh.

Kjo do të thotë se për sa kohë nuk është aktivizuar neni 26 i kodit, në maj të këtij viti Gjermania dhe Austria duhet të ndërpresin kontrollet kufitare.

Aktualisht Bashkimi Evropian ndodhet në krizë, ku shumë vende kanë rivendosur kontrollet kufitare, kanë vënë barriera apo kanë vendosur një limit në numrin e kërkesave për azil.