Ministra të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë bashkërisht vendosën lule në varrin e Goce Dellçevit në 150 vjetorin e lindjes së tij. Autoritetet e të dyja vendeve e përshëndetën këtë aktivitetet të përbashkët, por ndryshe reagoi opozita. Për VMRO-DPMNE-në kusht për shënimin e përbashkët është që Bullgaria të pranojë se Goce Dellçev është maqedonas, shkruan Alsat.

Maqedonia dhe Bullgaria, përskaj intensifikimit të dialogut, vendosën të kremtojnë bashkërisht lindjen e revolucionarit Goce Dellçev. Ministrat nga të dyja palët vendosën lule në kishën e Shën Spasit.

“Mendoj se është akt i vullnetit të mirë nga të dyja palët për të zbutur disa tensione, të cilat fatkeqësisht kanë qenë mjaft të larta vitin e fundit, për arsye të njohura – për shkak të bllokadës bullgare”, tha Stevo Pendarovski- President

Për kryeministrin bullgar Kirill Petkov, Dellçev është një person me të cilin krenohen të dy kombet.

“Kjo është në nivelin e ministrave, dhe është në një nivel shumë të lartë. Është për t’u përshëndetur, që ministrja Gençovska dhe ministrja nga ana e tyre arritën të pajtohen të jenë bashkë”, tha Kiril Petkov – Kryeministër i Bullgarisë

Kryeministri i Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Bruksel, ka shkruar në Facebook se idealet e Dellçevit janë përkushtimi ynë për ndërtimin e një shteti demokratik dhe ekonomikisht të fortë. Në njoftim ai nuk ka komentuar kremtimin e përbashkët.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski tha se nuk ka asgjë kundër Dellçevit për ta festuar me bullgarët, por ka një kusht.

“Nëse festohet 150 vjetori i lindjes së birit të madh maqedonas, nuk kam diçka kundër”, tha Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së

Partia e tij ka dorëzuar edhe një Deklaratë për Goce Dellçevin në Kuvend, e cila do ta theksojë Dellçevin në historinë e Maqedonisë.

Ndryshe, para kishës së Shën Spasit, një grup qytetarësh kanë protestuar kur kanë kaluar delegacionet e Presidentit, Qeverisë dhe Kuvendit.

“Ne jemi këtu, jemi të paguar për të duruar çdo kritikë nga qytetarët tanë, qoftë e pabazuar qoftë e bazuar. Mua më vjen mirë që shoh edhe reagime të tilla”, tha Stevo Pendarovski – President

Prezenca e policisë u shtua para se ministrja bullgare Teodora Gençovska të vendost lule.

Gazetari: Prisni të vini në “Shën Spas” duke pasur parasysh bllokadën?

“Presim kur të errësohet. Tani nuk na lënë sepse jemi maqedonas. Kjo është arsyeja”, tha një qytetarë

Në Bullgari, presidenti Rumen Radev dhe kryeministri Kiril Petkov shënuan këtë ditë në një ngjarje qendrore në Blagoevgrad. Alsat.mk