Shënon rritje numri i personave të prekur nga kanceri. Raporti dhjetë vjeçar i Institutit të Shëndetit Publik tregon se më i shpeshtë është kanceri në mushkëri dhe në bronke, ndërsa më pas vjen kanceri i gjirit dhe ai i lukthit, shkruan Alsat.

Tek gjinia femërore më i shpeshtë është kanceri i gjirit ndërsa tek burrat ai i prostatës. Nga sektori civil shprehën shqetësimin për pritjet e gjata të pacientëve me kancer dhe se të njëjtit detyrohen që kontrollet t’i paguajnë privat, në mungesë të shërbimeve shtetërore si dhe mungesën e terapive moderne për shërimin e kancerit. Ndër tjera ata kërkuar zgjerim të listës pozitive të ilaçeve që trajtojnë kancerin.

“Kishte shumë vonesa me procedurat e diagnostikimit, programet skrining u pakësuan, qasja për ndjekjen e sëmundjes për shkak të pandemisë sollën ngecje të madhe. Duhet që pacientëve të ju mundësojmë qasje deri te terapia, të ju mundësojmë procedurat të diagnostikimit në kohë, ndjekje të sëmundjes. Duhet të kemi një zgjidhje sistemore me qëllim që mos të na përsëritet më ngecja që e kishim në pandemi”, tha Biba Dodeva, Shoqata “Borka”.

Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali tha se do ndërmerren hapa për uljen e kohës së pritjes për kontrolle dhe vendosjen e orareve shtesë për mamografi si dhe zgjerim të listës pozitive.

“ Së bashku me mjekët, Klinikat dhe sektorin civil do të ndërmarrim aktivitete që pacientët të mos presin shumë gjatë për kontrolle si dhe të vendosim orare plotësuese për mamografi, eko të gjirit si dhe të bëjnë aktivitete konkrete për tu lehtësuar qasja në diagnostikimin e hershëm por do vazhdojmë edhe me zgjidhje sistematike të qasjes deri te terapitë e reja moderne”, u shpreh Bekim Sali, Ministër i Shëndetësisë.

Kanceri është arsyeja kryesore e vdekjeve në botë, me thuajse 10 milion vdekje gjatë vitit 2020, apo shkaktar për thuajse një nga gjashtë rastet e vdekjeve. Sipas raportit të World Cancer Research, janë konfirmuar se ekzistojnë 5 lloje të reja të kancerit krahasuar me një dekadë më parë të cilat lidhen me obezitetin. / Alsat.mk