Studimet paraprake zbuluan se një burrë 33-vjeçar në Hong Kong ishte infektuar për herë të dytë me COVID-19, përkatësisht kanë kaluar 142 ditë që nga koha kur ishte prekur për herë parë nga virusi.

Ivan Hung, pjesë e ekipit hulumtues në Universitetin e Hong Kongut, tha se studimi “nënvizon rëndësinë e të pasurit një vaksinë të coronavirusut për të rritur imunitetin edhe nëse shëroheni nga virusi”, raporton CNN.

Infeksioni i dytë ose i tretë ka të ngjarë të jetë më pak i rëndë se i pari, përveç nëse pacienti është i moshuar ose s’ka imunitet të fortë, transmeton Telegrafi.

“Edhe nëse jeni shëruar nga një infeksion natyror, nuk do të thotë që të jeni imun për jetë”, tha ai. “Ky virus është shumë i zgjuar, ai vazhdon të zhvillohet. Pra, kjo do të thotë edhe pse jeni shëruar nga një infeksion natyror, ju ende keni nevojë për vaksinim, keni nevojë për një maskë dhe të mbani distancim shoqëror”, pohoi Hung.

Kujtojmë se më shumë se 30 vaksina janë në faza të ndryshme të zhvillimit klinik dhe fazës 1, 2 ose 3 provave klinike, sipas Organizatës Botërore të Shëndetit.

Gara për të gjetur një vaksinë efektive ka implikime globale, jo vetëm për shëndetin e miliarda njerëzve, por edhe miliarda euro në të ardhurat për një zhvillues dhe prodhues të suksesshëm.