https://youtu.be/skRrRMgnCYA?t=7

Nikolla Gruevski një vit më parë në cilësinë e kryeministrit shkoi në Shipkovicë të Tetovës, ndërsa sot ishte sërish, por tanimë në cilësinë e kryetarit të VMRO-DPMNE.

Ai në natën e 3 gushtit i premtoi banorëve të këtij fshati më të dëmtuar se gjithçka do të dëmshpërblehet nga Qeveria. Por, një vit më pas banorët e Shipkovicës thonë se s’kanë marrë dëmshpërblimet e premtuara për shtëpitë dhe objektet e tjera të rrënuara nga vërshimet.

Banor: Unë e kam pasur shtëpinë shumë të dëmtuar dhe nuk kam marrë ende asnjë gjë, asnjë kompensim…

Gruevski: Përse kështu?

Banori: Ja, unë po ju pyes juve.

Gruevski: Na i jepni të dhënat tuaja dhe do e rishikojmë se çfarë është puna.

Kryetari i VMRO-DPMNE përgjegjësinë e hedhë tek komuna e Tetovës.

“Nga ajo që kuptova, qeveria pagoi rreth 25 milion denarë në dhjetor, në Byronë për ekspertizë gjyqësore. Pastaj na u tha se ka nevojë edhe për 8,5 milion denarë të tjerë, meqenëse ishte bërë një gabim nga ana e Byrosë për ekspertizë gjyqësore. Në korrik të këtij viti, edhe ato mjete i janë kaluar Komunës së Tetovës dhe ato sigurisht janë në proces e sipër apo duhet të paguhen shumë shpejtë, kështu që në atë aspekt sa jam i informuar nga ana e autoriteteve, Qeveria e ka kryer punën e saj. Tani i ka mbetur pjesa e ngelur të kryen Komuna”, u shpreh Nikolla Gruevski, Kryetarë i VMRO-DPMNE-së.

Komuna e Tetovës e pyetur nga TV21 i përgjigjet Gruevskit, duke theksuar se procesi i dëmshpërblimeve nuk po ngec në pushtetin lokal.

“Kompetencat për dëmshpërblimet nga vërshimet i posedon qeveria e Republikës së Maqedonisë, të plota si të tilla. Komisioni për vlerësimin e dëmeve dihet botërisht që është i qeverise se Republikës së Maqedonisë”, nga Komuna e Tetovës.

Lidhur me vizitën e Gruevskit në Shipkovicë dhe premtimet për kryerjen e dëmshpërblimeve, reagoi edhe LSDM.

“Pushteti i Nikolla Gruevskit ka për detyrë që banorëve të Tetovës dhe Shipkovicës t’ia paguajë dëmshpërblimet, ashtu siç kanë detyrim që të dëmshpërblejnë qytetarët edhe për dëmet e tjera. Kjo është detyrë e pushteti dhe mosrespektim të ligjeve duhet të jepet përgjegjësi“, nga LSDM.

Banorët e Shipkovicës thonë se halli më i madh i tyre është shtrati i parregulluar i përrockës, pasi që ata druajnë se mund të përsëriten vërshimet.