Rastin me shkarkimin e kryetares së Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, nuk e la pa komentuar as politika, e pushteti ekzekutiv. Kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski, vlerëson se skenat e këtilla nuk i kanë hije një institucioni, i cili ka rol shumë të rëndësishëm në zgjedhjen, shkarkimin e gjykatësve dhe vlerësimin e punës së tyre.

“Po ndodhin skena që nuk i kanë hije institucionit, i cili ka një rol shumë të rëndësishëm në zgjedhjen, shkarkimin dhe vlerësimin e punës së gjykatësve, kujdesin për reputacionin e gjykatës, si një faktor kyç për besimin e qytetarëve ndaj gjyqësorit. Përmes këtyre veprimeve, në mënyrë plotësuese ulet kredibiliteti, jo vetëm i Këshillit Gjyqësor, por edhe besimi i qytetarëve ndaj sistemit gjyqësor.”, thuhet në reagimin e presidentit.

Lidhur me zhvillimet në Këshillin Gjyqësor, ka reaguar edhe Ministria e Drejtësisë.

“Ministria e Drejtësisë po ndjek me shumë shqetësim ngjarjet në Këshillin Gjyqësor. Pavarësisht se Këshilli Gjyqësor është organ autonom dhe i pavarur që duhet të sigurojë autonominë dhe pavarësinë e gjyqësorit, kjo që po ndodh aktualisht, në masë të madhe do të ndikojë në besimin e mëtutjeshëm të qytetarëve në gjyqësor.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Për të marrë më shumë informacione, Ministria e Drejtësisë i ka dërguar kërkesë Këshillit Gjyqësor që të dërgojë në shqyrtim procesverbalin e seancës së 438-të, si dhe rendin e miratuar ditor. Ndërkohë nga VMRO-DPMNE theksojnë se kolapsi i shtetit pasqyrohet në gjyqësor.

“Gjyqësori është lëshuar në instalime partiake. Nuk mund të bëhet avancim të prokurorit apo gjyqtarit pa lejen e palëve në pushtet. LSD dhe BDI e mbajnë të gjithë sistemin rob, prandaj besimi i qytetarëve në gjyqësor është reduktuar në një gabim statistikor.”, reagojnë nga VMRO-DPMNE.

Kanë reaguar edhe nga partia politike “Besa”. Sipas tyre, mënyra me të cilën u shkarkua kryetarja e deritanishme e Këshillit Gjyqësor ishte skandaloze dhe është bërë me qëllim që të shpëtojë gjykatësi, i cili shpëtoi Sasho Mijallkov nga burgu.

“Sot edhe një herë u vërtetua qëndrimi i Lëvizjes “Besa” se gjyqësori është kapur nga partitë në pushtet, BDI dhe LSDM. Në seancën e sotme të Këshillit Gjyqësor, kryetarja Vesna Dameva u shkarkua në mënyrë arbitrare, në kundërshtim me Ligjin dhe vlerat demokratike.”